Pas Shkodrës dhe Laçit, ka nisur puna për lirimin e një tjetër hapësire publike, në Vlorë. Hapësira të tilla, të përdorura prej vitesh si pika grumbullimi për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara, po kthehen një e nga një në shërbim të qytetarëve.

Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu ishte së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, Kryeadministratoren e AAPSK-së Risena Xhaja, nënkryetarin e Bashkisë Vlorë dhe drejtorin vendor të Policisë në një inspektim në Vlorë.

“Jemi në zonën e Nartës, është një nga 24 pikat e bllokimit në të gjithë vendin që Policia e Shtetit përdor për të gjithë automjetet e konfiskuara dhe të sekuestruara. Në fakt, që prej fillimit të muajit shtator, së bashku me AAPSK, kemi nisur një fushatë mbarëkombëtare për të pastruar të gjitha këto pika, të cilat zënë një sipërfaqe të konsiderueshme në të gjithë territorin e vendit, për t’i sistemuar, për të seleksionuar të gjitha ato mjete, që aktualisht kanë prej vitesh të depozituara. Siç mund ta shikoni, janë plotësisht jashtë funksionit”, u shpreh Koçiu.