Sali Berisha nuk e kandidon Ermal Hasimen. Arsyet nuk lidhen me personalitetin e Hasimes. Edhe nëse do të ishte më i mirë se sa është dhe më i dobët se sa e shesin, përsëri nuk do ta kandidonte. Arsyeja është e qartë. Sali Berishës nuk i hynë në punë dikush që kërkon të bëhet kryetar bashkie në Tiranë, apo që kërkon të promovohet si i tillë. Sali Berishës i intereson status quo-ja brenda PD, dhe jo hapja apo krijimi i protagonistëve të rinj. Nëse do t’i duheshin hapje apo protagonistë të rinj, Berisha i kishte në PD dhe i zboi.
Identiteti ideal i një figure brenda PD që duhet të bëhet kryetar bashkie, është dikush që Berishën e bezdis si besnik, por që duhet ta heqë qafe protagonizmin e tij. Thellë-thellë ai nuk po kërkon dikë që të bëhet kryetar, por dikë që të mos i ngatërrohet më në këmbë pas saj. Pak a shumë siç ishte Këlliçi herën e shkuar, që pasi e bëri kandidat, u thoshte të gjithëve “ishte gabim që e bëmë”, për ta përcjellë.
Është kjo arsyeja që ky debat mbi Ermal Hasimen nuk ka kuptim. Kandidati i ri do të dalë nga rrethi i njerëzve brenda PD, që nuk rrezikon prishjen e status quo-s.
Një kandidat ideal është fjala vjen Andi Mustafaj, djali i Besnik Mustafajt. Ai i plotëson të gjitha kushtet. Është i ri, i shkolluar mirë, ambicioz, i pakënaqur, i bezdisshëm, sepse nuk do të ikë nga PD, por do të rrijë aty rrotull dhe të jetë gjithmonë në radhë për të pritur diçka. Ose të ngjashëm si ai. Edhe pse në rrethana të tjera identiteti i tij do të ishte i vlefshëm, Berishës nuk i duhet për ato që ai ka, por për ta hequr qafe “me ngritje” si kandidat.
Nëse jo atë, dikë si ai.
Kandidatura si e Hasimes janë jashtë interesit të tij. Çepani jo e jo, dhe për atë s’ka shumë faj. Përveç faktit që është gruaja e Gert Bogdanit, pjesa tjetër e historisë politike të saj është e lidhur me trashëgimi ultra të majtë familjare. Vetëm nëse e propozon si kandidate të përbashkët me Ilir Metën. Ngjashëm me të, ata mund të propozonin Majlinda Bregun, e cila ndryshe nga PD ka dhe një CV ndërkombëtare. Por përsëri është dikush që ua prish skemën.
Të gjithë këta janë një rikthim i personazheve të KOP-it të vitit 2005, pa Lulin, dhe nuk janë më as të rinj, dhe as të panjohur për Berishën. Janë thjesht të mërzitur prej tij.
Është kjo arsyeja që Ermal Hasimja, nëse do të imponohet si kandidat, duhet të regjistrohet si kandidat pa pyetur PD dhe t’i imponohet asaj. Fakti që ai ka impakt pozitiv tek anëtarësia e PD, mund ta vërë Berishën dhe PD-në në pozitë të vështirë nëse ai regjistrohet si kandidat, qoftë i partisë së Shehajt, qoftë i pavarur dhe t’i kërkojë PD ta mbështesë, duke i dalë borxhit. Kjo është e vetmja mënyrë që ai të formojë profilin e tij, të testojë votat e tij dhe të jetë një figurë imponuese në të ardhmen për PD dhe lidershipin e saj.
Këto negociatat mes Flamurit dhe Agronit për ta bindur për Hasimen, vetëm sa e fyejnë dhe e zvogëlojnë atë si kandidat. Se është më mirë të refuzohesh nga shumica e Tiranës dhe të tregosh sa vota ke, se sa të refuzohesh nga Flamuri.
Përtej kësaj, impakti pozitiv që ka emri i tij lidhet më shumë me urinë që ka në PD për hapje dhe emra të rinj, por që nuk është më shqetësim i lidershipit të PD. PD-ja ka vetëm një shqetësim: të ruajë stabilitetin e pushtetit në opozitë dhe të mos ketë kokëçarje nga njerëz që duan të ndryshojnë situatën dhe të jenë kritikë me Berishën apo të pavarur nga ai.
Ndaj mos e telendisni më Ermal Hasimen. Ose kandidojeni dhe detyroni PD ta mbështesë, ose lëreni në punën e tij./Tema