Debati në Kuvend me krerët e institucioneve të drejtësisë provoi se parlamenti i vendit jo vetëm është i paqartë për rolin e tij në raport me pushtetet e tjera, por, akoma më keq, sillet me to si përfaqësues i halleve personale të deputetëve dhe jo si përfaqësues i problemeve të shoqërisë shqiptare.

Deputetët e opozitës u rreshtuan të gjithë me pyetje të gatshme, të dhëna nga Sali Berisha, duke marrë në pyetje Altin Dumanin për gjëra banale, të cilat, po të ishte ndonjë prokuror pak më i çliruar si tip, mund ta kthente seancën në skenë humori me ta.
Socialistët, nga ana tjetër, të traumatizuar nga arrestimet dhe lajmet për hetime të reja, ishin si pula të trembura që kërkonin të mos u ndeshej shikimi me prokurorinë. Shyqyr që Altin Dumani e mban kokën ulur kur flet.
Akoma më keq, kur u dëgjua raporti i ILD-së, që është institucioni që duhet të kontrollojë drejtësinë. Aty pati një konsensus nga të dy palët për të mos thënë asgjë, meqë edhe raporti nuk thoshte asgjë.

Sot dëgjoja Sali Berishën që mburrej se kishin “gozhduar” Altin Dumanin apo që kishin bërë të paqenë krerët e institucioneve të drejtësisë.
Në të vërtetë, Kuvendi vetëm sa u ka rritur pikët krerëve të institucioneve të drejtësisë, madje veçanërisht Altin Dumanit. Pyetjet ndaj tij ishin si pyetje reporterësh që duan të marrin vesh se kush hetohet e përse hetohet, apo edhe më keq — fletrrufe kineze të tipit: “Ç’po bëni me sjelljet e shokut Filan?”.
Altin Dumani dhe kushdo tjetër në vend të tij, me pyetje të tilla mund të argëtohej një javë të tërë në Kuvend pa u shqetësuar. Ato nuk janë pyetje që kanë të bëjnë me mënyrën se si funksionon prokuroria apo SPAK, por me axhendën ditore të deputetëve. Dhe Kuvendi nuk është drejtoria e kuadrit e SPAK-ut.

Deputetët duhet të shqetësohen për çështje themelore të punës së SPAK-ut, që kanë të bëjnë me respektimin prej tij të Kodit të Procedurës Penale, të vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese apo të Gjykatës së Lartë për ndalimet, kontrollet e banesave, arrestimet paraprake apo ndërhyrjet në të dhëna personale — çështje që po shkaktojnë drama serioze për standardet e lirive themelore të qytetarëve.
Ata duhet të debatojnë me SPAK-un se si të përmirësohen praktikat e hetimit, si të kthehet në normalitet shkuarja në SPAK e figurave të larta politike, si të ndalet mendësia e “gjyqeve popullore” përmes rrjedhjeve të informacionit në shtyp në mënyrë jo transparente.

Vetëm në Shqipëri mund të bëhet tre ditë lajm nëse do të shkojë apo jo Belinda Balluku për t’u pyetur në SPAK, ndërkohë që kjo procedurë është një rutinë normale. Shqipëria do të jetë vend normal kur shkuarja e figurave të larta politike në SPAK të jetë lajm rutinë. Por stili i marrëdhënieve publike të SPAK, për ta shpërndarë lajmin ilegalisht dhe për të mos e konfirmuar zyrtarisht, sa për të krijuar presion publik, është një dimension i “gjyqeve popullore”.

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë aty për të konstatuar dhe për të korrigjuar këto defekte, që kanë të bëjnë me shkeljet ligjore të SPAK-ut, dhe jo me punën e tyre ditore.
Se kë thërret SPAK për hetim, sa orë e mban, sa herë e thërret dhe çfarë dosje heton, nuk është objekt i punës së Kuvendit. Kuvendi as dikton dot radhën e dosjeve në hetim, as intensitetin e tyre. Ai mund të diktojë dhe imponojë vetëm respektimin e ligjeve të shtetit shqiptar nga SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë.
Asnjë pyetje e deputetëve të opozitës apo të pozitës nuk kishte të bënte me këtë gjë, por ishin të mbushura me kureshtje lajmesh nga SPAK, sikur të konkurronin me Klodiana Lalën dhe Karamçon.

Në këtë aspekt, njerëzit më komodë në Shqipëri janë pikërisht krerët e institucioneve të drejtësisë, pasi ata shesin për presion politik zhurmën idiote të deputetëve në Kuvend, apo artikujt kritikë të shtypit ndaj tyre, që nuk prek fare deformimet ligjore në punën e tyre. Nga ana tjetër, shesin si profesionalizëm pikërisht rezultatet e arritura përmes deformimit të ligjit, dhe ata në sallë u duartrokasin.

Në këto kushte, pushteti i drejtësisë, nëse mund ta quajmë kështu, e ka mundur pushtetin e sovranit në Kuvend, për shkak të budallallëkut të Kuvendit dhe jo për shkak të punës së drejtësisë.
Republika e prokurorëve dhe gjyqtarëve të Shqipërisë nuk ka ku të raportojë për tejkalimin apo shkeljet e pushtetit të saj. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë as kupton detyrën e tij, as kupton detyrat e Republikës së Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, dhe as ka ndërmend të vendosë balancë midis pushteteve në Shqipëri. Ata sillen thjesht si njerëz të frikësuar, ngaqë e dinë se çfarë kanë bërë.

Dhe kur një vendi i bie parlamenti dhe banalizohet pushteti i sovranit, mos prisni më as shtet ligjor, as respekt për të drejtat e qytetarëve. Ata i kanë humbur ato të drejta që kur kanë votuar për një parlament të gjunjëzuar para pushteteve të tjera informale në vend, për shkak të halleve të veta./TEMA