Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala ishte e ftuara e radhës në podcastin “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama.
Evis Sala është prej 3 javësh tashmë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi ka shërbyer prej 29 vitesh në shtete të ndryshme të botës në fushën e mjekësisë.
Duke folur për sistemin shëndetësor në Shqipëri, ministrja Sala u shpreh se janë bërë investimet e duhura sa i përket infrastrukturës mjekësore, ndërsa ajo që duhet është menaxhimi.
Ministrja Evis Sala: Në këto 3 javë jam mundur të shoh, të dëgjoj. Tani kam një informacion të paparë. Kam menduar dhe reformat që duhen bërë, jo vetëm brenda Ministrisë së Shëndetësisë, por në bashkëpunim me të tjera. Ka gjithmonë ndërveprim, në momentin që ndërvepron, prodhimi është më i mirë se dy sistemet bashkë. Në drejtimin e strukturës, gjithmonë do ketë një strukturë që do ta rinovosh, është normale. Në drejtimin e menaxhimit aty është ndërhyrja më e madhe që duhet bërë, që të tëra bashkë duhet të koordinohen. Më pëlqen të ndërtoj një skuadër. Vetë nuk e bëj dot. Ajo që ka vënë re këto 3 javë është që ka dëshirë. Njerëzit duhet t’i kuptosh dhe ti vësh në pozicionin që kanë qejf të punojnë dhe në momentin që motivohen angazhohen dhe bëhen pjesë e suksesit.
Kryeministri Edi Rama: Duam të rrisim kapacitetin e menaxhimit të gjërave që kemi vendosur në pozicionet e duhura nga pikëpamja e infrastrukturës.
Ministrja Evis Sala: Edhe në Amerikë drejtorët e mirëfilltë të spitaleve nuk janë mjekë. Në qoftë se bashkëpunohet mirë me shefat e departamenteve, shërbimeve, s’ka pse drejtori të jetë mjek. Kjo për spitale të mëdha. Për spitale më të vogla më të specializuar, mundet që dhe drejtori të jetë mjek dhe kjo ndoshta ka kuptim.
Ministrja Sala përmendi edhe 3 prioritete të saj.
Gjëja kryesore, sipas ministres, është reformimi i Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Një pikë tjetër, ministrja përmendi fushën e onkologjisë dhe organizimin teknologjik që lidhet më këtë shërbim.
Elementi i tretë, sipas saj, është edhe rëndësia që duhet të marrë shërbimi primar, duke u ofruar asistencë qytetarëve për probleme të zakonshme pa pasur nevojë të paraqiten në spital.
Të gjitha prioritetet e saj, ministrja është optimiste se do t’i përmbushë deri në fund të dekadës, kohë kur përfundon edhe mandati i qeverisë.
Ministrja Evis Sala: Një nga gjërat kryesore është reformimi i Fondit të Sigurimeve. Mjekësia ka një kosto, është falas te qytetari por nuk është falas. Mjekësia kushton. Te qytetari paguhet nga shteti. Mënyra se si duhet të financohet shëndetësia, duhet të menaxhohet në mënyrë të tillë në bazë të rezultateve. Kam dhe grupin e punës.
Një nga pikat e tjera që kam dhe një lloj përgjegjësie personale që vij nga fusha e onkologjisë, është trajtimi onkologjik, aksesi i plotë i barnave onkologjike. Në këtë sens e kam menduar si organizim të qendrës nacionale të kancerit. Duhet të dërgosh shërbimin te pacienti, jo pacientin te shërbimi. Sistemet duhen lidhur. Gjëja tjetër është shërbimi primar. Nuk mund të vish në spital për çfarëdolloj gjëje.
Kryeministri Edi Rama: Sa optimiste je që në fund të kësaj dekade, gjërat që do dëshirojë ti shihje të materializuara të materializohen?
Ministrja Evis Sala: Jam optimiste sepse baza që duhet janë..Optimizmi nga 1 në 10 është 9.