Miratohet Komisioni i ‘Zgjedhores’ me kushtin që të zbardhet raporti i ODIHR për zgjedhjet

Në kuadër të Konferencës së Kryetarëve, është miratuar ngritja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, me përcaktimin që puna e tij të nisë menjëherë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR-it mbi zgjedhjet e fundit.

Një nga çështjet që ka ngjallur debat gjatë mbledhjes ka qenë përbërja e komisionit, konkretisht mënyra e përfaqësimit të anëtarëve. Është rënë dakord që të rishikohet neni që përcakton këtë përfaqësim, me synimin që ai të bazohet te grupet parlamentare dhe jo thjesht te partitë politike, siç është parashikuar aktualisht.

Në të njëjtën mbledhje, u diskutua edhe për Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kritikoi propozimin e mazhorancës, duke akuzuar se po minohet tradita e bashkëpunimit dhe konsensusit mes palëve politike.

“Po prishni traditën parlamentare dhe minoni konsensusin. Kjo reformë duhet të garantojë një mekanizëm konsensual. Po ua lexoj, këtu, në vitin 2014 dhe në vitin 2022, komisioni është ngritur mbi bazën e barazisë mes mazhorancës dhe opozitës. Sot vini me një propozim që nuk e garanton këtë. Prandaj, ne nuk pranojmë të jemi vetëm fasadë. Për këtë arsye, kërkoj që të ndryshoni përfaqësimin”, deklaroi Bardhi.

Nga ana e tij, kreu i Grupit të PS Taulant Balla ka kërkuar kohë për konsultim, pa dhënë një qëndrim përfundimtar lidhur me kërkesën e opozitës. Diskutimet pritet të vijojnë në ditët në vijim.