Edon Zhegrova u bë një nga lëvizjet më të bujshme të kësaj merkatoje vere, i cili vetëm në orët e fundit arriti të kalonte te Juventusi.
Ky transferim u bë i mundur edhe falë dhënies në kohë të pasaportës shqiptare nga kryeministri Edi Rama drejt yllit të Kosovës, e cila i shërbeu që Juventusi ta regjistronte pa probleme.
Mamaja e Edonit, Sanije Zhegrova, tregon për “Shqipëria Live” emocionet dhe prapaskenat e këtij transferimi dhe bisedat e sulmuesit shqiptar me kryeministrin Rama.
“Ka qenë pak stresuese si verë. Ka pasur shumë klube që ishin të interesuara para Juventusit. Ishin Dortmund, Marseille, por vula ishte Juventusi dhe ne të gjithë ishim të lumtur, si Edoni, si ne si familje.
Kur ai tha që do shkonte te Juventusi, ishte një moment i papërshkrueshëm.
Qëkur Edoni ka qenë i vogël, unë dhe bashkëshorti im, Lulëzimi, i kemi qëndruar afër. Dhe qëkur është transferuar këtu në Torino, ne kemi ardhur të jetojmë së bashku me Edonin këtu. Jemi afër në çdo aspekt.
Edoni ka lindur në Gjermani, në Kosovë jemi kthyer pas lindjes së Edonit, pas luftës. Edoni ishte 2 vjeç kur erdhi në Prishtinë. Aty filluam jetën me bashkëshortin. Që 6 vjeç, gjyshi e regjistroi Edonin te Flamurtari, pastaj te Prishtina. Ka qenë Milan Junior Camp që u mbajt në Prishtinë dhe aty u zgjodh mes 200 talenteve. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme.
Edoni, kur del para ndeshjes, sheh vendin ku jemi ulur dhe na dërgon puthje.
Për tre javë mbyllej merkatoja. Edoni meritonte letrat belge, por për shkak të lëvizjes së futbollit, Edoni nuk e mori dot pasaportën belge. Juventusi na komunikoi që nëse do të merrte pasaportën shqiptare, do të ishte më e lehtë. Edoni i ka dërguar një mesazh kryeministrit Edi Rama, për të cilin unë i jam gjithmonë falënderuese kryeministrit…
Ai i nisi një mesazh dhe Rama iu përgjigj: ‘Respekt. E kryer është.’
Me sa jam në dijeni, në debutimin e Edonit, në stadium ka qenë vëllai i kryeministrit dhe Edoni ia dha fanellën. I jam mirënjohëse pafund kryeministrit dhe shtetit shqiptar për përkrahjen.
Kishim kohë diku te 15 ditë. Na pyetën për sa na duhej pasaporta, sepse tha del për dy javë. Ne për dy javë na mbyllej merkatoja. Na thanë që pa merak, do dalë për dy ditë.
Pasi e mori pasaportën, Edoni ka komunikuar me kryeministrin Edi Rama dhe i tha: ‘Nuk di si ta falënderoj’, dhe Rama tha: ‘Asgjë s’dua, vetëm një fanellë të Juventusit’,” tha e ëma e Zhegrovës, Sanija.




















