Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka urdhëruar të martën ushtrinë e tij të kryejë sulme “të fuqishme” në Rripin e Gazës, pasi e akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Pak minuta më vonë, Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe vende të tjera – njoftoi se do ta vononte dorëzimin e kufomës së një pengu tjetër, duke e akuzuar Izraelin për “shkelje të armëpushimit”.
“Pas konsultimeve rreth sigurisë, kryeministri Netanyahu udhëzoi ushtrinë që menjëherë të kryejë sulme të fuqishme në Rripin e Gazës”, tha zyra e Netanyahut pa dhënë hollësi të tjera.
Hamasi kishte njoftuar më herët se do ta dorëzonte trupin e një pengu tjetër të martën, pas trysnisë së shtuar nga Izraeli, i cili e akuzoi grupin palestinez se të hënën kishte kthyer vetëm mbetjet e pjesshme të trupit të një pengu të rikuperuar më parë.
“Ne do ta shtyjmë dorëzimin që ishte planifikuar për sot për shkak të shkeljeve nga okupatori”, tha krahu i armatosur i Hamasit në një deklaratë, duke shtuar se çdo “përshkallëzim izraelit do të pengojë kërkimin, gërmimin dhe rikuperimin e trupave”.
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – i ndërmjetësuar nga SHBA – hyri në fuqi më 10 tetor, por të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje. Mediat izraelite raportuan më herët për një shkëmbim zjarri midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.




















