Në podcastin “Flasim” të Kryeministrit Edi Rama, kandidatja për kryetare të Bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu, rrëfeu hapat e saj të parë në politikë dhe lidhjen e hershme me qytetin që e ka formuar.
E rikthyer pas në kohë, Manastirliu kujtoi ditët e para të fushatës së vitit 2000, kur së bashku me një grup të rinjsh punonin për të mbledhur opinionin e qytetarëve derë më derë.
“Më vjen një telefonatë nga një shoqja ime që më thotë: “Ogerta, nëse do, mund të vish në një organizim të Partisë Socialiste për të bërë disa pyetësorë, duke qenë se po afrojnë zgjedhjet lokale, dhe nëse ti do të jesh pjesë e këtij grupi të rinjsh që do të shkojnë nëpër qytet për të mbledhur opinionet e qytetarëve se çfarë duhet bërë për qytetin më mirë, më shumë, mund të vish.”; dhe thashë “Dakord, po vij, jam e lirë.”. Shkoj; ishte një furgon i vogël, i brenduar me një akuarel të qendrës së Tiranës, asaj historikes te sheshi “Skënderbej”, dhe shkruante “Me Edi Ramën për Tiranën”. Edi Ramën e njihja si Ministër i Kulturës dhe, në fakt, e gjithë mosha jonë ishte intriguar nga i riu ministër kulture që s’ishte aspak si gjithë të tjerët: me një shpirt transformues, pak rebel, që thotë gjithmonë atë që mendon. Dhe thashë: “Ok.” Hipëm në furgon dhe, në një moment, mbërritët ju, Kryeministër, dhe aty filloi një rrugëtim që, për të thënë të vërtetën, ishte edhe një tjetër vetëdijësim; ka bërë një pjesë të këtij rrugëtimi, por edhe hapjes së syve, një lloj zgjimi tim për të parë përtej qendrës së Tiranës, ku në fakt ishte bërë jeta ime përgjatë gjithë atyre viteve. Me ju kemi shëtitur gjithë Tiranën, cep më cep, dhe për herë të parë unë pashë çfarë ndodhte jashtë unazës së Tiranës, çfarë ndodhte në rrethinat e Tiranës, si ishte Tirana në atë kohë: sa e errët, sa zymtë. Dhe ishte një hapje sysh, ishte një zgjim, por ishte edhe një moment që jo vetëm mua, por të gjithë neve që ishim aty – dhe sigurisht të gjithë atyre që ju ju përkrahën – na u bë një moment sa zgjimi, aq edhe shprese.
Shprese se Tirana mund të bëhej, se Tirana mund të transformohej; Tiranës filloi t’i vinte ngjyra. Fillova të lexoja një libër të Malcolm Gladwell, “Revenge of The Tipping Point”. Më pëlqen shumë, sepse ai merret me mendësinë dhe me natyrën njerëzore. Aty gjenden shumë shembuj se çfarë impakti kanë ndryshimet e vogla dhe më kujtua pikërisht ngjyrimi i pallateve të Tiranës. Ai sillte një tjetër shembull, atë të Nju Jorkut të viteve ’80–’90, “dritaret e thyera”, dhe pikërisht masat që u morën për të ulur kriminalitetin; nëpër metro u hoqën të gjitha grafitet dhe u pastrua, pra përkujdesi ndaj qytetit solli uljen e kriminalitetit në atë rast, por këtu, në Tiranë, përkujdesi ndaj qytetit, aspektet estetike, ndikojnë shumë në sjellje.”, rrëfeu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, në “Flasim” me kryeministrin Rama,
Home Lajme Aktualitet Ogerta Manastirliu kujton angazhimin e parë politik kur kandidonte Edi Rama: Zgjim...