Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Parashqevi Simaku ka reaguar ndaj një deklarate skandaloze të bërë në një emision dhe që më pas u përhap me shpejtësi në mediat sociale.
Bëhet fjalë për deklaratën e një personazhi televiziv, Shqipe Hysenaj, e cila tha se këngëtarja e famshme “kishte mbetur në atë gjendje për shkak se i merrte burrat shoqeve”.
Në një deklaratë në Facebook-un e saj zyrtar, Simaku nuk e përmend personazhin e ekraneve shqiptare me emër, por përgjigjet duke thënë se këto shpifje i kujtojnë periudhën e hidhur të diktaturës, ku edhe në atë kohë si sot flitej për të, më tepër nga mllefi dhe zilia.
Reagimi i plotë:
Prej 10 muajsh, emri im është përdorur si tabelë qitjeje nga njerëz që përpiqen të tërheqin vëmendje përmes shpifjeve dhe të pavërtetave. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të më duhej të reagoja për gjëra kaq të ulëta, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.
Por në fakt, kjo nuk është hera e parë që ndodh. Edhe në vitet 1985–1988 flitej për mua – për çmimet që kisha fituar me shumë punë, përkushtim dhe sakrifica – por shumë nga ata flisnin me mllef dhe zili. Edhe atëherë, si sot, zgjodha të mos ndalem.
Sot dua t’ju them vetëm kaq: Mua nuk më bëni dot asgjë. Publiku im më njeh prej vitesh dhe e di shumë mirë kush jam, çfarë kam dhënë dhe çfarë përfaqësoj.
Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt: në atë moment, e ulni vetëm veten.
Unë vazhdoj rrugën time me dinjitet dhe të vërtetën në krah. Kjo është forca ime.