Përfundon afati për regjistrimin e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në 5 bashki. 13 kandidatët do të garojnë përballë njëri-tjetrit.

Në Vlorë, beteja është mes tre rivalëve që duan të zënë karrigen e kryebashkiakut pas dorëheqjes së Ermal Dredhës.

Socialistët, garojnë me mjeken dhe deputeten Brunilda Mersini, ndërsa demokratët i kanë vendosur përballë një kandidat të pavarur si Dionis Sota, i cili ka një profil në sipërmarrjen turistike. Emri i tij u mbështet edhe nga Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapaj. Ujërat opozitarë nuk janë të qetë, me këshilltarin demokrat Gjergji Nika, i cili është rebeluar ndaj partisë së tij dhe garon si i pavarur.

Në Berat, nënkryetari Ervin Ceca që drejton bashkinë prej ditës që Ervin Demo u dorëhoq për tu bërë deputet, garon nën logon e socialistëve për tu zgjedhur kryetar. Përballë ka biznesmenin Pavlo Shkarpa, i cili garon si pavarur dhe mbështetet nga korpusi opozitar.
Në Tepelenë, për vendin e lënë bosh nga Tërmet Peçi që iku për tu bërë deputet, garojnë dy persona. Gramos Sako për socialistët, një figurë e njohur për shkak të drejtimit 11-vjeçar të Gardës së Republikës prej tij, dhe një 26-vjeçar, si Gabriel Guma, arkitekt, që si i pavarur mbështetet nga opozita.

Në Cërrik, kryebashkiaku Andis Salla u bë ministër bujqësie. Prej atëherë bashkia drejtohet nga Florenc Doka dhe pikërisht këtë jurist PS e garon përballë dy emrave nga opozita. Këtu, demokratët dhe Adriatik Lapaj nuk i kanë bashkuar fuqitë. Mjeku Amarildo Hoxha garon i pavarur dhe mbështetet nga PD, ndërsa kriminologu i kthyer nga Italia, Eligert Hima garon nën logon e Shqipëria Bëhet.

Tre emra janë në garë edhe për bashkinë e Matit, pas largimit të Agron Malajt që u bë deputet. Demokratët mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika, ndërsa socialistët në këtë bashki, janë të ndarë. Kandidati zyrtar i tyre është Altin Bojni, i cili drejton aktualisht bashkinë, ndërsa Suzana Pasha, që drejtonte forumin e gruas socialiste në Mat, e zemëruar me partinë, kandidon si e pavarur.

Dokumentet dhe firmat mbështetëse të të pavarurve janë dorëzuar në KQZ dhe KZAZ-të përkatëse, të cilat do të bëjnë verifikimet dhe më pas do të kryejnë regjistrimet përkatëse.