Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas akuzave se ishte përfshirë në organizimin e protestës në Tiranë kundër Gjykatës Speciale për arsye fushate, pasi është në balotazh me Hajrulla Çekun e LVV-së.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se mbrojtja e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përgjegjësi e përbashkët e qytetarëve, përtej ndasive politike.
“Me i mbrojt vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çështje që na takon të gjithëve, përtej partive politike”, shkroi ai.
Rama kujtoi se që në fillim të mandatit, para katër vjetësh, kishte krijuar Sektorin për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së brenda kabinetit të Komunës së Prishtinës, i udhëhequr nga një ish-veteran i luftës.
“Jemi e vetmja komunë në Kosovë që e kemi bërë këtë. Prandaj po them, nuk është çështje e ditëve të fundit, nuk është çështje politike, është çështje më e madhe, çështje kombëtare”, shtoi Rama.
Ditën e djeshme, për 70 minuta, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të kërkuar liri për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë protestë morën pjesë figura të rëndësishme politike nga Kosova dhe Shqipëria.
“Liri për çlirimtarët” ishte thirrja që bashkoi shqiptarët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Evropës, të cilët mbushën sheshin në Tiranë.