Pasi dakordësisë me Hamasin dhe miratimit nga qeveria izraelite, ka nisur lirimi i të burgosurve palestinezë për t’u shkëmbyer me pengjet izraelite të mbajtura në Gaza, siç përcaktohet në planin e paqes. Qindra oficerë izraelitë po transferojnë gati 2 mijë persona në 5 burgje, nga të cilët 250 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1,700 banorë të Gazës të arrestuar pas sulmeve të 7 tetorit.
Pas të burgosurve, Hamasi deri të hënën duhet të dorëzojë të gjithë pengjet izraelite (20 të gjallë dhe 28 të vdekur). Mijëra njerëz kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre në veri të Gazës, teksa një ditë më parë hyri në fuqi armëpushimi menjëherë pasi marrëveshja me Hamasin mori “ok” edhe të qeverisë izraelite. Dje, IDF përfundoi edhe fazën e parë të tërheqjes nga enklava.
Ndërkohë, presidenti i SHBA, Donald Trump shprehu besim në armëpushimin në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit.
“Do të qëndrojë. Unë besoj se do të qëndrojë. Ata janë të lodhur nga luftimet”, u tha Trump gazetarëve, duke konfirmuar qëllimin e tij për të udhëtuar në Izrael dhe Egjipt këtë fundjavë.
Nga ana tjetër, Hamasi, Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës kanë lëshuar një deklaratë duke thënë se nuk do të pranojnë asnjë “dominim të huaj” në Rripin e Gazës sipas planit të paqes. “Qeverisja e Gazës është një çështje palestineze”, deklaruan milicitë në deklaratën e tyre.
Ndërkohë, deri në 200 trupa amerikane që ndodhen tashmë në Lindjen e Mesme do të zhvendosen në Izrael për të ndihmuar në monitorimin e armëpushimit në Gaza. Trupat do të jenë pjesë e një Task Force që do të krijohet me disa vende të tjera, me qëllim monitorimin e armëpushimit në Gaza.