4 kandidatët për Kreun e SPAK janë Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Klodina Braho dhe Elvin Gokaj të cilët kanë dorëzuar zyrtarisht kandimin e tyre për të drejtuar Prokurinë e Posaçme.
Profilet e secilit kandidat:
Prokurorja Doloreza Musabelliu është një nga katër kandidatët në garë për kreun e SPAK. Musabelliu është një nga magjistratet e diplomuara që për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ajo është nga Poliçani i Skraparit.
Musabelliu është një nga prokuroret e pakta që flet frëngjisht, dhe ka qenë shpesh e përzgjedhur nga autoritetet franceze për hetimet dypalëshe në fushën e trafikut. Ajo ka qenë një nga prokurorët e parë që kreu një hetim kundër Emiliano Shullazit dhe kërkoi dënimin për trafik droge dhe armëmbajtje.
Prokurorja ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa pati në dorë dosjen Toyota Yaris me miliona euro të sekuestruara në Durrës dhe masakrën e Lushnjes në vitin 2017. Ka qenë gjithashtu drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e ka lënë këtë detyrë në vitin 2017.
Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Musabelliu, sipas të penduarit të drejtësisë Artan Tafani është prokurorja që është ndjekur nga grupi i Laert Haxhiut për ta eleminuar lidhur me masakrën e Lushnjes ndaj Orges Bilbilit dhe Laert Haxhisë.
Prokurori Adnan Xholi është një nga katër kandidatët në garë për kreun e SPAK. Xholi ka kandiduar edhe për parë për këtë post por nuk ka arritur të fitojë. Ai aktualisht është zv/drejtues i SPAK dhe shef i seksionit të krimit të organizuar. Xholi ka hetuar dhe çuar për gjykim dhjetëra grupe kriminale dhe ka zbërthyer dosje të SKY ECC.
Xholi punon prej më shumë se 20 vitesh në sistemin e drejtësisë. Në janar të vitit 2018 me ndryshimet e kryera në organin e akuzës nga kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, prokurori Xholi u emërua në krye të Drejtorisë Gjyqësore.
Në vitin 2021 kaloi vettingun dhe që prej korrikut të 2021-shit iu bashkua trupës së prokurorëve specialë të SPAK. Më parë, ai ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, si edhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Xholi ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai gjithashtu ka qenë Drejtori i Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të akuzës.
Sot është afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave për kreun e SPAK. Tre kandidatët e tjerë janë prokurorët Doloreza Musabelliu, Klodian Braho dhe Elvin Gokaj. Pas mbylljes së afatit, KLP do të ketë në dispozicion dy muaj për të shqyrtuar kandidaturat, zhvilluar intervistat publike dhe për të marrë vendimin me votim.
Klodian Braho është prokuror i SPAK. Ai u emërua në këtë institucion më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimi ose ndryshe siç quhet, procesi i vettingut.
Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.
Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.
Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.
Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë emërimit në SPAK.
Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.
Në mars të vitit 2023, Braho dha dorëheqje nga një pjesë e një dosjeje që kishte në hetim, në lidhje me çështjen e inceneratorëve, pas pretendimeve të ngritura nga palë të përfshira për mungesë transparence në veprimet procedurale.
Aktualisht, Klodian Braho vijon të ushtrojë funksionin si prokuror i posaçëm në SPAK.
Braho këtë hënë ka qenë kandidati i parë i paraqitur për kreun e SPAK.
Elvin Gokaj është prokuror në SPAK. Ai e ka nisur karrierën në vitin 2000 në Prokurorinë e Matit. Nga viti 2007 deri në 2013 ka qenë drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Në vitin 2014 është emëruar në Prokurorinë e Apelit Shkodër, ku më vonë ka mbajtur pozicionin e drejtuesit. Në dhjetor 2021 është emëruar prokuror në SPAK.
Gjatë procesit të vettingut është pezulluar për një vit dhe është rikthyer në Shkollën e Magjistraturës për probleme profesionale. Pas shqyrtimit në Kolegj, është konfirmuar në detyrë.
Ka hetuar disa çështje të profilit të lartë, përfshirë dosjen ndaj Belind Këlliçit për fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh, si edhe çështjen “Buka sh.a.” që lidhet me privatizimin e një fabrike dhe akuzat për shpërdorim detyre ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.