Në Ksamil, Himarë, Dhërmi e Velipojë, ku janë vërejtur edhe problematikat më të mprehta në keqmenaxhimin privat të plazheve, me çmime të pajustifikueshme në raport me cilësinë e dobët të shërbimit, bashkitë do të marrin në menaxhim plazhet.

Kryeministri Edi Rama në “Shënimet e javës” të episodit të parë të sezonit të ri të podkastit “Flasim” u ndal tek politika e re e menaxhimit të plazheve, pjesë e programit të mandatit të katërt.

Rama u shpreh se “Beach baret” do të reduktohen në maksimum dhe muzika jashtë mureve të lokalit në zonat e banuara do të ndalohet.

Ndërkohë, ai vuri në dukje ndryshimet që po ndodhin në plazhin e Durrësit, me vijën e gjatë bregdetare dhe vendndodhjen afër kryeqytetit e që tërheq dhjetëra mijë turistë.

Rama tha se plazhi tradicional i Durrësit po transformohet me zgjerimin e ndjeshëm të brezit të rërës dhe një brez të ri gjelbërimi.

“Do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për një turizëm që sjell cilësi, që respekton qytetarët dhe që e bën Shqipërinë një destinacion europian të dëshiruar jo vetëm për bukuritë e natyrës, po edhe për shërbimin e mirë”, përfundoi Rama.