Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë këtë të shtunë disa pamje mahnitëse nga fshati i Linit, Pogradec.
Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i qeverisë vë në pah edhe vendimin e marrë së fundmi, ku Lini është shpallur Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore.
“Mirëmëngjes dhe nga fshati i bukur i Linit që sapo është shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban”, duke u përfshirë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Ndërkohë Blendi Gonxhja, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit thotë se ky status i ri vlerëson peizazhin e veçantë natyror që ndërthur trashëgiminë kulturore e natyrore, urbanistikën tradicionale me rrugica kalldrëmi dhe bashkëjetesë komunitare, si dhe arkitekturën vernakulare me teknika e materiale vendase, të përshtatura me klimën dhe resurset lokale.
Fshati Lin ndodhet në brigjet piktoreske të liqenit të Ohrit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Pogradecit. Ky fshat i vogël është një nga destinacionet më të veçanta që ndërthur bukurinë natyrore me pasurinë historike.
Një nga thesaret më të çmuara të Linit janë rrënojat e bazilikës paleokristiane, të zbuluara në majën e kodrës që ngrihet mbi fshat.
Zbulimet arkeologjike të realizuara gjatë dekadave të fundit kanë nxjerrë në dritë një kishë të hershme që daton në shekujt V–VI pas Krishtit, e pasur me mozaikë të rrallë, zbukurime gjeometrike dhe simbole kristiane. Mozaikët janë të ruajtur në mënyrë mbresëlënëse, duke dëshmuar për një qendër të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore të asaj kohe.




















