Në Londër, ku ndodhet për Samitin e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet nesër, kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale.
I pyetur për deputetin britanik Nigel Farage, Rama tha se pavarësisht retorikës së tij, ai trajton probleme që shqetësojnë vërtetë Britaninë e Madhe.
“Unë kam prirje të besoj se të veçosh Farage si problemin, praktikisht është të largohesh rrënjëve të problemit. Farage nuk është problem, është pasqyra ku njerëzit mund të shohin në mënyrë teatrale disa prej problemeve. Unë nuk besoj se ai ka zgjidhje, por nuk ka aspak dyshim që zgjidhja nuk është ta shfaqësh atë si kokë turku; zgjidhja duhet të jetë të zgjidhësh problemet dhe t’i bësh njerëzit të besojnë te ky vend i madh”,- tha Rama.
Sa i përket gjendjes në cilën ndodhet Europa tani, kreu i qeverisë theksoi se duhet një reflektim nga ana e saj.
“Besoj që nëse dikush do të kuptojë më mirë se çfarë ndodh me Europën, duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë të tjerët jashtë Europës, të dëgjojë mendjet e mëdha dhe të ndritura, të atyre që e shohin globalisht të vdekur arenën, të gjithë ata e shohin Europën si një gjigant të vjetër, të lodhur, që nuk është më në gjendje të zgjidhet dhe të kuptohet që bota ka ndryshuar. Për shembull, ka një fakt të thjeshtë që më pak se 40 vjet më parë PBB e Europës ishte më e madhe se e Kinës, sot janë në nivel të barabartë dhe më pak se 20 vjet Kina do të ketë PBB dyfishin e Europës”,- tha Rama.