Kryeministri Edi Rama në podkastin “Flasim” foli për hapat e radhës në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve publike në vend, duke nënvizuar dy projekte: identitetin digjital dhe portën biometrike në aeroportin “Nënë Tereza”.
Kryeministri bëri të ditur se Shqipëria po përgatitet për një kapërcim teknologjik të rëndësishëm, ku karta e identitetit do të mund të përdoret në formë digjitale, përmes celularit apo kompjuterit, duke u shndërruar në një portofol elektronik shumëfunksional.
“Kur koncesioni i hershëm i kartave të identitetit përfundoi, ne morëm përsipër një sfidë të madhe: krijimin e një kompanie shtetërore për prodhimin e kartave të identitetit, më të mira dhe më të lira se të mëparshmet. Kompania Identitek e përballoi me sukses këtë sfidë dhe tashmë është angazhuar për sfidën e re të identitetit digjital,” u shpreh Kryeministri Rama.
Ai theksoi se ky zhvillim është në përputhje me objektivat e Bashkimit Europian, i cili ka vendosur vitin 2027 si afatin për futjen e identitetit digjital në jetën e përditshme të qytetarëve europianë. Ndërkohë, Shqipëria synon ta ketë gati këtë sistem në fillim të vitit 2026.
Në vijim, Kryeministri prezantoi edhe projektin për portën biometrike në aeroportin “Nënë Tereza”, e cila do të lejojë hyrjen në vend pa ndalesa dhe pa kontroll tradicional të pasaportës, vetëm përmes verifikimit të pamjes dhe të dhënave të udhëtarit të lidhura elektronikisht.
“Aeroporti i Tiranës, tashmë i mirënjohur si një nga të parët aeroporte në Europë me kontroll digjital të pasaportave, do të jetë i pari aeroport në Europë me portën digjitale të hyrjes. Kjo falë bekimit të teknologjisë digjitale, e cila u jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë kapërcime epokale që, përndryshe, do të ishin të pamundura“, theksoi Rama.


















