Nga Londra, nuk mund të mungonte një koment i kryeministrit Edi Rama për politikanin Nigel Farage, me të cilin është përplasur disa herë në distancë mbi numrin e të burgosurve shqiptarë në Britani të Madhe.
Kryeministri Rama u pyet nga një gazetar mbi ftesën që ai i ka bërë politikanit britanik për të vizatuar vendin tonë dhe zbuloi se Farage i kishte kërkuar 28 nëntorin, që përkon edhe me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Me ironi, Rama tha se i sugjeroi që të zgjedhë një datë tjetër, pasi do të duket shumë i vogël para heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeu.
“Mikun tim të dashur Nigel, e kam ftuar, më ka premtuar edhe publikisht që do të vijë, më kërkoi një datë që përkon një datë që përkon me ditën tonë të pavarësisë dhe i thash: Nigel, më mirë të gjejmë një datë tjetër sepse në qoftë se vjen do të duhet të përballesh me heroin tonë kombëtar dhe dukesh shumë i vogël. Mendoj që s’na takon ne të vendosim se kush do zgjidhet në Britani, por e kemi parë që puna e qeverisë është diçka krejt ndryshe nga poezia në opozitë. Nuk shoh problem për të bashkëpunuar me këdo. Në fund besoj që Farage nuk është problemi, Farage është pasqyrë e problemeve i cili ka një aftësi teatrale për të qenë tërheqës, por problemet qëndrojnë tjetër kund”, tha Rama.