KQZ ka mirëpritur publikimin e Raportit Përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR për procesin zgjedhor të 11 majit 2025, duke theksuar se ky dokument përbën një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për përparimin profesional të administratës zgjedhore shqiptare.
Në një reagim këtë të enjte, Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së, shprehu kënaqësinë për përmbajtjen e raportit, duke theksuar se ai vlerëson përgatitjet teknike, menaxhimin dhe transparencën e procesit zgjedhor.
“Raporti i ODIHR-it konfirmon nivelin e lartë profesional dhe angazhimin e palëkundur të Komisionit për të organizuar zgjedhje transparente, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse,”- tha Celibashi.
Ai vuri në dukje veçanërisht votimin nga jashtë , një zhvillim që sipas tij “shënon një moment kyç në legjislacionin shqiptar dhe një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së diasporës në procesin zgjedhor.”
Sipas raportit, menaxhimi i këtij procesi ishte kompleks, por u realizua përgjithësisht mirë nga KQZ-ja, duke vlerësuar edhe efikasitetin në administrimin e sistemit elektronik dhe përdorimin e teknologjisë biometrike.
“Administrimi teknik dhe organizimi i zgjedhjeve u kryen në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse. KQZ-ja menaxhoi me sukses sistemin elektronik të votimit dhe identifikimit biometrik, një hap i rëndësishëm për të ardhmen e proceseve zgjedhore në vend,”- shtoi Celibashi.
Në raport përmendet gjithashtu përmirësimi i mekanizmave të integritetit në proces, duke vënë theksin në bashkëpunimin e ri të KQZ-së me SPAK-un dhe Prokurorinë e Përgjithshme, në kuadër të luftës kundër krimit zgjedhor.
Kreu i KQZ-së theksoi se “ky koordinim i ri institucional tregon vullnetin e qartë të Komisionit për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve”.
Raporti evidenton edhe disa aspekte pozitive të tjera, si zbatimi i kuotës gjinore prej 30% në listat e kandidatëve, që garanton përfaqësimin e barabartë gjinor, si dhe trajtimi transparent dhe gjithëpërfshirës i ankesave nga Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave.
“Seancat e KQZ-së u zhvilluan në mënyrë transparente, me transmetim të drejtpërdrejtë, duke siguruar një llogaridhënie të plotë ndaj publikut dhe aktorëve politikë,”- u shpreh Celibashi.
Megjithatë, në raport adresohen edhe disa sfida dhe rekomandime për përmirësim, të cilat sipas KQZ-së kërkojnë reforma më të gjera dhe jashtë juridiksionit të drejtpërdrejtë të administratës zgjedhore.
Celibashi nënvizoi se “ODIHR-i evidenton nevojën për ndërhyrje ligjore për të adresuar keqpërdorimin e burimeve shtetërore nga forcat politike dhe për të qartësuar dispozitat ligjore që çojnë në konflikte kompetencash.”
Po ashtu, raporti thekson nevojën për përmirësimin e transparencës financiare të subjekteve politike, duke kërkuar që Kuvendi të forcojë mekanizmat për publikimin e të dhënave mbi donacionet.
Një tjetër sfidë e theksuar është politizimi i komisioneve zgjedhore në nivele të ulëta, ku zëvendësimet në minutën e fundit të anëtarëve nga partitë politike u konsideruan një pengesë për procesin.
“Këto vërejtje kërkojnë një reformë të gjerë, konsensuale dhe të menjëhershme të Kodit Zgjedhor nga Kuvendi,” t-ha Celibashi.
Në përfundim, kreu i KQZ-së theksoi angazhimin e Komisionit për zbatimin e plotë të rekomandimeve të ODIHR-it dhe ftoi të gjithë aktorët politikë që të bashkëpunojnë në rishikimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor zgjedhor.