Nga Shpëtim Luku
Rasti klasik i gazetarisë, që shpesh citohet për të treguar fuqinë e vëzhgimit, lidhet me vdekjen e udhëheqësit sovjetik, Juri Andropov. Kur ai ndodhej në shtratin e vdekjes, korrespondentët ndërkombëtarë qëndronin në gatishmëri të plotë. Në atë klimë pritjeje, një gazetë prestigjioze amerikane guxoi të dilte me titullin: “Vdiq Juri Andropov”.
Lajmi rezultoi i vërtetë, por gazetari nuk kishte burim zyrtar. I pyetur për burimin e kësaj ndërmarrjeje me rrezik të lartë, ai u përgjigj thjesht: “Pashë lëvizje të shqetësuara të anëtarëve të KGB-së gjatë gjithë natës, dritat e dhomës së spitalit ku ndodhej udhëheqësi sovjetik ishin gjithë natën ndezur, shtoji kësaj edhe faktin se ai ishte i sëmurë e vdekja pritej.” Ky vëzhgim brilant i dha gazetarit fitoren e madhe, por vendosi një standard të rrezikshëm.
Ky rast i vëzhgimit të mprehtë është analog me situatën që po përjeton ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano, i cili po kalon një betejë serioze shëndetësore. Fatkeqësisht, ajo që shihet sot nuk është vëzhgimi brilant, por nxitimi i turpshëm dhe i neveritshëm: një portal dhe një figurë e njohur publike kanë nxituar t’ia bëjnë nekrologjinë njërës prej figurave më të moderuara të politikës shqiptare, duke shpallur vdekjen e tij pa asnjë konfirmim zyrtar.
Edhe pse gjasat shëndetësore mund të jenë të pakta, shpallja e parakohshme e vdekjes është një veprim thellësisht joetik dhe çnjerëzor. Ajo shkel çdo parim të etikës gazetareske dhe tregon një mungesë totale respekti për dinjitetin e individit, familjes së tij, dhe publikut.
Në vend të garës së egër për “skupin” më të shpejtë, duhet të mbizotërojë një ndjeshmëri themelore njerëzore. Lajmi i vdekjes është i rëndë dhe kërkon respekt, durim dhe konfirmim.
Le të shpresojmë dhe urojmë që Fatos Nano t’ia dalë mbanë edhe kësaj here. Dhe njëkohësisht, le të shpresojmë që media jonë të mësojë të ndajë vëzhgimin e mprehtë profesional (rasti Andropov) nga etja e pamatur për klikime, e cila dhunon etikën.