
Në një postim në rrjetet sociale, udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, ka reaguar pas shpalljes së saj si fituese e Çmimit Nobel për Paqen.
Ajo e cilësoi këtë vlerësim si “njohje e luftës së të gjithë venezuelianëve” dhe bëri thirrje për unitet në përpjekjen për të arritur “pushtimin e lirisë”.
Machado theksoi se ky çmim nuk i përket vetëm asaj, por të gjithë popullit të Venezuelës, që sipas saj, “ka luftuar prej vitesh për liri dhe demokraci”.
“Kjo njohje e luftës së të gjithë venezuelianëve është një nxitje për të përfunduar misionin tonë: të pushtojmë Lirinë,” shkroi ajo, duke shtuar se vendi është “në prag të fitores”.
Ajo falënderoi aleatët ndërkombëtarë, duke veçuar “Presidentin Trump, popullin e Shteteve të Bashkuara, popujt e Amerikës Latine dhe vendet demokratike të botës”, të cilët i konsideron “aleatët kryesorë”.
Në fund të mesazhit të saj, Machado ia dedikoi çmimin “popullit që vuan të Venezuelës dhe Presidentit Trump, për mbështetjen e tij të fortë dhe vendimtare për kauzën tonë”.
Reagimi i saj i parë pas marrjes së lajmit ishte emocional. Sipas një videoje të shpërndarë nga ekipi i saj i shtypit, Machado është shprehur se ishte “e shokuar” kur mori vesh lajmin. “Zoti im… nuk kam fjalë”, tha ajo, duke shtuar se ishte “mirënjohëse në emër të popullit venezuelian”.
Reagimi Maria Corina Machado:
Ajo u zgjua në mes të natës nga një telefonatë e sekretarit të komitetit të Nobelit, Christian Berg Harpviken, i cili e informoi për çmimin.
Ky njohje e përpjekjes së të gjithë venezuelianëve është një shtysë për të përfunduar detyrën tonë: të fitojmë Lirinë.
Ne ndodhemi në prag të fitores dhe sot, më shumë se kurrë, llogarisim mbi Presidentin Trump, popullin e Shteteve të Bashkuara, popujt e Amerikës Latine dhe kombet demokratike të botës si aleatët tanë kryesorë për të arritur Lirinë dhe demokracinë.
Ia kushtoj këtë çmim popullit vuajtës të Venezuelës dhe Presidentit Trump për mbështetjen e tij vendimtare ndaj kauzës sonë!