Mjeku i njohur Edi Tushe ka folur me shumë ndjeshmëri për jetën e tij personale gjatë intervistës në “Galeri” me Edi Manushi.

Gjatë bisedës, Tushe ka rrëfyer se prej vitit 2003 nuk ka më asnjë komunikim me djalin e tij, nga martesa e parë, i cili jeton në Kanada.

“Jam përpjekur të lidhem edhe me njerëzit e ish-bashkëshortes sime, sepse kam një marrëdhënie të mirë me ta. Ai është në Kanada. Nuk është e lehtë t’i shpëtosh një indoktrinimi të caktuar. Të gjithë ata që ikën bashkë me djalin tim atje, i kanë prerë të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë”, u shpreh Tushe.

Mjeku pediatër tregoi se i biri, Idliri, dikur kishte shprehur dëshirën për të ndjekur rrugën e tij profesionale.

“Im bir e pa në Tiranë se sa e donim ne. Ka dhe një foto nga zyra ime dhe aty mori dëshirën për të vazhduar mjekësinë”, tha ai, duke shtuar se nuk di ta shpjegojë arsyen e shkëputjes.

Tushe përcolli një mesazh prekës për të birin:

“Ai është djali im. Do doja ta kisha në krahë dhe të jetë i lumtur, i arrirë në jetë, t’i ketë realizuar ëndrrat e tij. Kjo do ishte e vetmja gjë që do të doja për të. Unë vetë kam vuajtur, dhe vuajtjet e bëjnë njeriun më të butë, më të ëmbël, por ndonjëherë edhe më të ashpër. Varet se si e sheh jetën.”

Tushe ka kujtuar periudhën e adoleshencës, duke rrëfyer një bisedë prekëse që kishte pasur me të atin:

“Në një moment kur isha adoleshent, periudha kur ti i kundërshton prindërit dhe i sheh si injorantë apo jashtë kohe, i thashë tim eti: ‘Pse e flet kështu italishten, ç’është kjo italishte e çalë?’ Dhe ai më tha: ‘Vërtetë mor bir, nuk jam aq i ditur sa ti, por qëllimi i prindit është ta bëjë fëmijën më të ditur seç është vetë. Por mbaje mend, sa herë të thuash jam i biri i filanit e filanes, mbaje kokën lart, që askush të mos thotë kush është ai që ka këta prindër.’”

Ai shtoi se nga prindërit kishte marrë një mësim të vlefshëm për harmoninë familjare:

“E kam pyetur babain tim: nëse ndodh ndonjë problem mes meje dhe mamasë, me kë do bëhesh? Ai më tha ‘me mamin’. U mërzita pak, prisja tjetër përgjigje. Më vonë e pyeta nënën time për të njëjtën gjë, dhe ajo më tha ‘me babin’. Ky ishte një shembull i mrekullueshëm harmonie, që e bën të shëndetshme gjithë familjen.”

Në intervistë, Tushe foli edhe për vëllanë e tij, i cili sipas tij ka kaluar një periudhë shumë të vështirë gjatë viteve të komunizmit.

“Kur vëllai im ishte 16 vjeç, u njoh me një vajzë italiane, vajza e një diplomati në Tiranë. Kishin vetëm shoqëri, ishin fëmijë, bënin stërvitje basketbolli bashkë. Por kur ai arriti moshën madhore, në vitin e parë të fakultetit, e arrestuan. Akuza e parë ishte ‘tradhti e lartë ndaj atdheut’ dhe ‘spiunazh për katër agjentura të huaja’. Për një djalë që sapo kishte bërë 18 vjeç, kjo ishte absurde. E gjitha ajo kohë ishte absurde,” – tha mjeku.