Stadiumi i Leskovacit do të presë sot në mbrëmje një ndeshje me tension të lartë mes Serbisë dhe Shqipërisë, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Takimi, që nis në orën 20:45, konsiderohet si vendimtar për fatet e dy përfaqësueseve në Grupin K, ku gara për vendin e dytë mbetet e hapur.

– Advertisement –
Me 8 pikë të grumbulluara pas pesë ndeshjesh, Shqipëria renditet e dyta në grup, ndërsa Serbia ndodhet një pikë më poshtë, por me një ndeshje më pak. Anglia ka marrë distancë të sigurt në krye, duke lënë kombëtaret ballkanike të luftojnë për një vend në “play-off”.

Ndeshja zhvillohet në një klimë të mbingarkuar sigurie. Autoritetet serbe kanë ndaluar shitjen e biletave në treg të lirë, ndërsa tifozët shqiptarë nuk do të jenë të pranishëm në stadium. Masa të shtuara janë marrë pas incidenteve të shumta të regjistruara në ndeshjet e kaluara nga huliganë serbë.

Në aspektin sportiv, kuqezinjtë zbresin në fushë me një formacion të konsoliduar. Sylvinho i qëndron besnik vijës mbrojtëse me Strakoshën në portë dhe katërshen Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj. Asllani, Shehu dhe Laçi pritet të udhëheqin mesfushën, ndërsa në sulm do të aktivizohen Broja, Daku dhe Uzuni ky i fundit favorit për të nisur në krah, përpara Bajramit.

Në kampin serb, mungesa të rëndësishme si Milinković-Savić, Milenković dhe Lukić i japin një tjetër peshë përgatitjes së skuadrës së Stojković. Vlahović udhëheq repartin ofensiv përkrah Kostić dhe Zivković, në një formacion që mbështetet te përvoja, por që vjen me disa pikëpyetje.

Historiku mes dy ekipeve ka lënë gjurmë të thella. Nga tri takime të mëparshme, Shqipëria ka vetëm një fitore në tavolinë, ndërsa kujtohet ende sfida e ndërprerë në Beograd në vitin 2014, ku një dron me flamurin “Autochthonous” shkaktoi përplasje të ashpra në fushë dhe jashtë saj. Ndeshja u regjistrua 3-0 për Shqipërinë dhe u kthye në një pikë kthese për rrugëtimin drejt Euro 2016.

Në sfondin e tensioneve dhe mungesës së tifozëve, vëmendja do të përqendrohet te ajo çka ndodh në fushën e blertë. Një rezultat pozitiv në Leskovac mund të afrojë Shqipërinë më shumë se kurrë me një tjetër ëndërr botërore.