Shtëpia e Bardhë thotë se shkurtimet masive të punonjësve federalë në SHBA do të fillojnë brenda dy ditësh, ndërsa ligjvënësit shkëmbejnë faje për bllokimin e parë të qeverisë në pothuajse shtatë vjet.
Mbyllja e qeverisë filloi të mërkurën pasi republikanët dhe demokratët në Kongres nuk arritën të bien dakord për një plan të ri shpenzimesh para afatit të mesnatës.
Ka pak shenja se secila palë është e gatshme të bëjë kompromis, dhe një votim për t’i dhënë fund bllokimit së qeverisë dështoi vetëm disa orë pasi ajo filloi.
Senati është shtyrë që atëherë, duke ngritur frikën se bllokimi mund të zvarritet dhe të kërcënojë qindra mijëra vende pune, si dhe të rrezikojë t’i kushtojë ekonomisë amerikane miliarda dollarë në humbje prodhimi.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën pasdite, zëvendëspresidenti JD Vance bëri një paraqitje të rrallë së bashku me Sekretaren e Shtypit Karoline Leavitt dhe akuzoi demokratët se po luajnë lojëra politike.
“Nëse janë kaq të shqetësuar për efektin që kjo po ka te populli amerikan, dhe duhet të jenë, ajo që duhet të bëjnë është të rihapin qeverinë, jo të ankohen për mënyrën se si reagojmë,” tha ai.
Ndërkohë, Leavitt tha se shkurtimet masive të vendeve të punës do të ndodhnin brenda dy ditësh. “Ndonjëherë duhet të bësh gjëra që nuk do t’i bësh,” tha ajo, duke shtuar se “demokratët na kanë vënë në këtë pozicion.”
Ky ishte sulmi i fundit në atë që ka qenë një lojë e hidhur fajësimesh midis të dyja partive, me demokratin kryesor të Senatit, Chuck Schumer, i cili më parë akuzoi republikanët se po përpiqen të “detyrojnë” demokratët që të pranojnë planin e tyre të financimit.
Demokratët duan të sigurojnë garanci për financimin e kujdesit shëndetësor përpara se të bien dakord për një marrëveshje shpenzimesh, ndërsa republikanët duan të përdorin një masë të përkohshme për ta mbajtur qeverinë të hapur deri në mesin e nëntorit dhe të financuar në nivelet aktuale.
Demokratët kanë thënë se lejuan që qeveria të mbyllet në një përpjekje për të negociuar për të kursyer përfitimet e kujdesit shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta. Ata kanë thënë se përpjekjet për të negociuar me republikanët mbi këto përfitime deri më tani kanë qenë të pasuksesshme.
“Pse po i bojkotojnë negociatat? Nuk e kam parë kurrë këtë në jetën time,” tha senatori Chris Murphy, një demokrat nga Connecticut, për republikanët. “Çështja është se qeveria do të hapet kur republikanët ta marrin seriozisht çështjen e saj duke folur me demokratët.” Ndërkohë, republikanët – të cilët kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit, por nuk kanë 60 votat e nevojshme për të miratuar një projektligj financimi – kanë thënë se këto përfitime të kujdesit shëndetësor nuk janë përparësi, por mbajtja e qeverisë hapur është.
“Nuk ka të bëjë me atë se kush fiton, kush humbet apo kush fajësohet dhe të gjitha këto,” tha udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune. “Ka të bëjë me popullin amerikan. Dhe [demokratët] e kanë marrë peng popullin amerikan në një mënyrë që ata mendojnë se u sjell dobi politikisht.”
Republikanët kanë argumentuar gjithashtu se zgjatjet e kujdesit shëndetësor që demokratët po kërkojnë do t’u kushtojnë taksapaguesve amerikanë më shumë para dhe u krijuan për të menaxhuar kompleksitetet e epokës Covid që nuk ekzistojnë më.
Punëtorët thelbësorë, siç janë agjentët kufitarë dhe ushtria, mund të detyrohen të punojnë pa pagesë për momentin – por punonjësit qeveritarë që konsiderohen jo thelbësorë, vendosen përkohësisht në pushim pa pagesë. Në të kaluarën, këta punëtorë janë paguar më pas në mënyrë retrospektive.
Analistët presin që kjo mbyllje të jetë më e madhe se ajo e fundit në vitin 2018, kur Kongresi kishte miratuar disa projektligje financimi. Ata presin që afërsisht 40% e punonjësve federalë – rreth 750,000 njerëz – të vihen në pushim të përkohshëm. Disa punëtorë u pushuan nga puna të mërkurën. Por administrata Trump ka kërcënuar gjithashtu me pushime të përhershme nga puna edhe të punonjësve federalë.
“Le të jemi të sinqertë, nëse kjo gjë zgjatet,” tha Vance gjatë konferencës informative të mërkurën, “do të na duhet të pushojmë nga puna njerëz.”
Vance bëri gjithashtu pretendimin – i mohuar vazhdimisht nga demokratët – se mbyllja është rezultat i demokratëve të lartë që avokojnë që përfitimet e kujdesit shëndetësor t’u shtrihen edhe migrantëve pa dokumente.
Ligji amerikan tashmë ua ndalon emigrantëve pa dokumente përfitimin e ndonjë mbulimi shëndetësor të subvencionuar nga qeveria federale. “Askund demokratët nuk kanë sugjeruar se jemi të interesuar të ndryshojmë ligjin federal,” tha udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries.
Russell Vought, shefi i buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, i informoi republikanët me dyer të mbyllura se si mund të duken shkurtimet e afërta të vendeve të punës, megjithëse detajet publike të këtyre planeve janë të pakta.
Në Capitol Hill, të mërkurën kishte pak oreks për një marrëveshje që do t’i jepte fund ngërçit.
“Nuk ka asgjë për të negociuar. Nuk ka asgjë që mund të nxjerrim nga ky projektligj për ta bërë atë më të thjeshtë ose më të pastër nga ç’është aktualisht,” tha Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.
Një votim tjetër mbi projektligjin e financimit afatshkurtër të propozuar nga republikanët pritet të premten.