Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e parakoshme të Tiranës të caktuara më datë 9 nëntor.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkoi që Dekreti i Presidentit shpallej i paligjshëm dhe të pezullohej procesi për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se vendimi u mor unanimisht nga e gjithë trupa e Gjykatës Kushtetuese.

Kështu, në datë 31 tetor 2025, në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seanca publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt.

Presidenti Bajram Begaj, më datë 1 tetor 2025, nxorri dekretin për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera të vendit.

Menjëherë, avokatët e Erion Veliajt u vunë në lëvizje dhe të nesërmen bënë shtesë në ankimimin e tyre të mëparshëm, duke kërkuar edhe shpalljen anti-kushtetues të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e Tiranës.

Ndërkohë, Veliaj ankimoi në Gjykatë Kushtetuese më 29 shtator vendimin e Këshillit të Ministrave që e shkarkoi nga detyra.

KRONOLOGJIA E NGJARJEVE PËR BASHKINË E TIRANËS:
11 shtator 2025 – Në Asamblenë e PS, Edi Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës të niste procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt. Ogerta Manastirliu prezantohet si kandidate e PS për kryeqytetin.
17 shtator 2025 – Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës organizojnë mbledhje në selinë e PS për të diskutuar për nisjen e procedurës së shkarkimit të Erion Veliajt. Motivacioni: Aktivizimi i nenit 62 të qeverisjes vendore me mosparaqitjen në detyrë të kryebashkiakut për 3 muaj.
23 shtator 2025 – Këshilli Bashkiak i Tiranës shkarkon Erion Veliajn me 50 vota. Kryebashkiaku Veliaj nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhje.
24 shtator 2025 – Prefekti i Tiranës i dërgon Qeverisë propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt.
25 shtator 2025 – Këshilli i Ministrave shkarkon nga detyra Erion Veliajn.
29 shtator 2025 – Erion Veliaj ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
30 shtator 2025 – Qeveria njofton zyrtarisht Presidencën për vakancën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
1 tetor 2025 – Presidenti Begaj dekreton zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë Tiranë më datë 9 nëntor
2 tetor 2025 – Avokatët e Erion Veliajt ankimojnë në Kushtetuese dekretin e Presidentit, kërkojnë pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë
9 tetor 2025 – Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Veliajt dhe rrëzon dekretin e Presidentit duke pezulluar zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës