Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali reagoi sot lidhur me zhvillimet më të fundit për vendimin e Hamasit për lirimin e të gjitha pengjeve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali vlerësoi përpjekjet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump si një hap të rëndësishëm për arritjen e paqes së shumëpritur.

“Dy vite dëshpërimi pas sulmeve të tmerrshme, lajmi për vendimin e Hamasit për të liruar të gjithë pengjet ndez një flakë të brishtë, por të çmuar, të shpresës”, u shpreh Spiropali.

Spiropali uroi që “kjo të shënojë agimin e një kapitulli të ri, ku izraelitët dhe palestinezët të mos jetojnë më në dhimbje paralele, por në paqe dhe dinjitet të përbashkët”.

“Shqipëria e mirëpret këtë hap me zemër të hapur dhe me një besim të palëkundur në pajtim, dhe vlerëson përpjekjet e Presidentit Trump që e kanë afruar Lindjen e Mesme më pranë horizontit të paqes së shumëpritur”, u shpreh Spiropali.

Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë menjëherë bombardimet në Rripin e Gazës, pasi Hamasi ka pranuar pjesën më të madhe të planit të tij për paqe.

Plani 20-pikësh i propozuar nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përfshin një armëpushim të menjëhershëm, shkëmbimin e pengjeve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë, si dhe tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza.

Ai parashikon gjithashtu çarmatosjen e Hamasit dhe krijimin e një qeverie kalimtare palestineze, e cila do të mbikëqyret nga një organ ndërkombëtar.