Nuk ka qenë një takim i lehtë ai mes Trump dhe Zelensky. Askush nuk ka ngritur zërin, por Trump ka qenë i ashpër, sipas një burimi të faqes Axios. Trump thuhet se ka bërë disa “deklarata të forta gjatë takimit dhe në disa momente situata është bërë disi emocionale”. Zelensky nuk ka marrë raketat me rreze të gjatë Tomahawk dhe as armë të tjera që kishin kërkuar ukrainasit. Pas dy orësh e gjysmë, Trump e ndërpreu papritur takimin: “Mbaruam, të shohim çfarë do të ndodhë javën e ardhshme.” Më pas u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe u drejtua për në Florida, pa folur me gazetarët, duke postuar një mesazh në rrjetin e tij social Truth, ku shkruante se takimi me Zelenskyn kishte qenë “shumë interesant dhe miqësor, por i thashë atij, ashtu siç i kam sugjeruar ngrohtësisht presidentit Putin, se ka ardhur koha të ndalen vrasjet dhe të arrihet një marrëveshje! … Duhet të ndalen aty ku janë, që të dy të shpallen fitues, dhe le të jetë Historia ajo që vendos!”.
Lideri ukrainas, duke folur në një konferencë të shkurtër me gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë, komentoi menjëherë mbi postimin e Trump, duke deklaruar se ishte dakord me të. Në uljen në Florida, ku do të kalojë fundjavën, presidenti amerikan përsëriti se konflikti në Ukrainë duhet të ngrihet (ngrijë, ndalet) përgjatë “vijës aktuale të luftimeve.”
Pas takimit me Trump, Zelensky telefonoi liderët evropianë, përfshirë edhe Italinë: gjatë atij bisedimi, kryeministri britanik Keir Starmer sugjeroi që të formulohej një propozim paqeje për Ukrainën sipas modelit të planit 20-pikësh të Trump për Gazën. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sugjeroi të organizohej një telefonatë ndjekëse mes këshilltarëve të sigurisë së Aleancës gjatë fundjavës.
Gjatë natës, në një intervistë për televizionin NBC, Zelensky tha se ende shpreson që Trump do t’i furnizojë Kievin me raketat Tomahawk në të ardhmen. Trump “nuk tha jo” – sqaroi presidenti ukrainas – por është vetëm se “për sot nuk tha po.” Zelensky u shpreh i bindur se Putini ka “shumë frikë nga Tomahawk-ët.”/Corriere della sera