Florian Binaj është kandidati më i pazakontë i gjithë garave elektorale në Shqipëri, pasi është një kandidat i përzgjedhur nga Sali Berisha për të qenë “i pavarur”. Kjo e bën atë një kandidat të emëruar si “i pavarur” nga çdo parti opozitare, por të varur nga Kryetari i Partisë Demokratike.

Ky status special i përshtatet zotit Binaj vetëm si aktor, por jo si politikan.
Si aktor, njeriu merr një rol dhe e luan deri në fund. Flori është aktor i mirë dhe besoj se u ka dhënë formë gjithë personazheve që ka luajtur. Në këtë aspekt, besoj që edhe këtë emërim nga Berisha si “i pavarur” ka shanse ta luajë mirë.

Por kujdes: kjo vlen vetëm për ekran. Nuk vlen as për fushatë dhe as për bazën e Partisë Demokratike.
Për këtë arsye, do të ishte mirë që ai të shmangte intervistat dhe deklaratat e tij për shtyp, sepse nuk është njësoj të bësh njerëzit për të qeshur si aktor dhe njerëzit për të qeshur si kandidat.

Kur je aktor dhe bën njerëzit për të qeshur, quhesh i suksesshëm. Kur je kandidat dhe bën njerëzit për të qeshur me deklaratat e tua, je i dështuar pa filluar. Dhe po shikoj se ai ka shkaktuar shumë të qeshura me deklaratat e tij mbrëmë në Top Channel.

Keqkuptimi i tij që ai është një kandidat që do bëjë takime pa pasur nga pas politikanët e opozitës duhet shpjeguar: nëse ky është dekor apo thelb i fushatës.
Nëse është thelbi i fushatës, do të thotë që ai është i distancuar nga Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare. Kjo është fyerje për elektoratin e tyre dhe rrezikon ta bëjë atë një dordolec në fushatë që nuk i shkon pas askush.

Nëse e ka brenda rolit që i është caktuar si “aktor elektoral”, domethënë janë dakordësuar të gjithë që ai ta bëjë vetëm fushatën, por nga pas të qëndrojë PD dhe partitë e tjera duke mbledhur votat për të, kjo është një mashtrim për publikun – por përsëri është shumë më mirë sesa të jetë e vërtetë që ai nuk ka punë me kryetarët e partive opozitare.

Të gjithë e dimë që PD në fund nuk do një faturë për humbjen dhe ndaj ka emëruar “një të pavarur” për të justifikuar humbjen. Por kjo nuk do të thotë se PD do që ky të humbasë sa më thellë. Ajo patjetër ka nevojë që ky të marrë vota, ndoshta më shumë se PD. Ndaj dhe duhet të bëjë kujdes mos t’i trembë demokratët ende pa nisur fushatën duke i trajtuar si lebrozë që nuk do t’u afrohet. se nuk janëaq budallenjë sa mendon dhe nuk janë aq të “dashur” sa janë kur shikonin portokallinë dhe duartrokisnin.

Së fundmi, duhet të bëjë kujdes kur flet, sepse deri më sot gënjeshtrat i konsideron batuta në skenë, por në politikë gënjeshtrat janë moralisht të dënueshme dhe në fushatë janë bomba me sahat.

Lehtësia me të cilën ai gënjeu disa herë në intervistën e parë për gjëra krejt pa rëndësi është shenjë e keqe. Fjala vjen, fotot dhe videot me Erion Veliajn nuk kanë shumë rëndësi nëse janë bërë më 2015, 2018 apo 2020. E rëndësishme është që ai ka qenë pjesë e roleve që Veliaj i ka caktuar për PR-in e tij. Nxitimi për të gënjyer që ai s’ka qenë në dijeni, apo që janë bërë kur ka qenë ministër, tregon që ai ka siklet nga jeta e tij e mëparshme dhe përpiqet ta mbulojë me gënjeshtra.

Nuk është krim ajo që ka bërë. Politikanët kanë bërë gjëra shumë më të rënda. Por ato tejkalohen kur je i sinqertë. Si gënjeshtar, ai ka shumë konkurrentë të fortë në politikë dhe nuk i mund dot. Kryegënjeshtarin e ka pronar partie, që është gati të gënjejë edhe për atë që ka thënë dje, jo më në 2018.

Prandaj nëse është i pasigurt për gjërat që thotë, është mirë të shmangë sa më shumë daljet televizive, derisa të mësojë mirë rolin si “kandidat i pavarur” që i kanë caktuar.
Përndryshe, me këtë vrull që ka nisur të bëjë për të qeshur elektoratin, kam frikë se nëse zgjedhjet shtyhen për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do ta shkarkojnë nga roli që i kanë dhënë, dhe do të përcillet duke qeshur nga kjo histori.
Pas kësaj, nuk di nëse do bëjë dot më për të qeshur njerëzit me rolin e policit, pasi kjo fushatë mund të provojë që qenka polic real dhe jo në rol./TEMA