Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Visho Ajazi Lika, ka rrëfyer një ngjarje të pazakontë gjatë kohës që drejtonte këtë institucion, duke treguar se në një fundjavë, vendi është përballur me një kërcënim serioz nga jashtë, ndaj një institucioni shtetëror.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Ajazi bëri me dije se informacioni erdhi nga një shërbim partner dhe përmbante të dhëna për një sulm të mundshëm, i cili klasifikohej si kërcënim terrorist.

“Kam marrë informacion nga një shërbim partner se mund të kishte sulm ndaj një institucioni shtetëror. Ishte fundjavë. Kam shkuar në orën 23:00 në zyrën e Kryeministrisë për të kërkuar takim urgjent, por kryeministri nuk ndodhej aty,” tha Ajazi.

Sipas tij, pasi informoi kryeministrin në detyrë, u kërkua mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili u mblodh të nesërmen dhe mori masat përkatëse për të shmangur rrezikun.

Pyetje: A ka sistem paralajmërues apo monitorim nga ana e SHISH, kur ka sinjale për kërcënime?

Visho Ajazi Lika: SHISH është i lidhur në kontakte të ngushta me Ministrinë Drejtësisë, të Brendshme apo Policinë. Nëse ka indicie, njoftojmë Policinë. Në varësi të nivelit të kërcënimit, përcaktohet puna. Shërbimi mbledh informacione inteligjente dhe ia përcjell institucioneve përkatëse, p.sh si Policia e Shtetit. Kur kjo e fundit heton dhe kur gjen të dhënat ligjore, ky kthehet në rast penal dhe ia referon prokurorisë.