Një operacion i koduar “The Van”, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka çuar në zbulimin dhe goditjen e një baze ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara si të trafikuara.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit u sekuestruan 23 armë zjarri, mes tyre 5 snajperë, një silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë, pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka përgëzuar strukturat e DVP Tiranë për punën e bërë dhe finalizimin me sukses të operacionit.
“Ky është një tjetër operacion i suksesshëm që tregon profesionalizmin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të goditur krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Armët prodhojnë krim, çdo armë e paligjshme është një rrezik real për jetën e qytetarëve dhe për rendin publik,” – deklaroi Proda.
Ai shtoi se Policia e Shtetit do të vijojë pa ndërprerje luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët.
“Iu bëj thirrje qytetarëve të mbështesin punën e Policisë së Shtetit duke bashkëpunuar dhe denoncuar çdo rast që cenon rendin dhe sigurinë publike. Vetëm përmes bashkëpunimit të ndershëm dhe besimit të ndërsjellë mund të ndërtojmë një mjedis më të sigurt për të gjithë,” – theksoi drejtori i përgjithshëm.




















