Ermal Hasimja ka reaguar pas përfshirjes së emrit të tij në listën e kandidatëve të opozitës për garën në Bashkinë e Tiranës.
Në një reagim në rrjetet e tij sociale, Hasimja shprehet se ndihet i vlerësuar për këtë propozim, duke falënderuar ata që kanë hedhur apo mbështetur idenë e kandidimit të tij.
“Ndihem padyshim i vlerësuar që emri im është propozuar në listën e kandidatëve potencialë të opozitës për Tiranën dhe falënderoj ata që e kanë propozuar apo mbështetur idenë,” – u shpreh Hasimja.
Ai shtoi se një vendim do të merret vetëm në rast se i bëhet një propozim zyrtar.
“Kur të marr (nëse marr) një propozim zyrtar, do të mund të mendohem dhe të marr një vendim.”
Hasimja gjithashtu vlerësoi figurat e tjera të përmendura në listë, Florian Hackaj dhe Edlira Cepani, duke i cilësuar si kandidatë të denjë për opozitën.
“Më vjen mirë gjithashtu që dy emrat e tjerë në listë, Florian Hackaj dhe Edlira Cepani, janë njerëz që i vlerësoj maksimalisht dhe që do të ishin kandidatë të shkëlqyer për opozitën,” – tha ai në reagimin e tij.
Këtë të mërkurë opozita njoftoi se ka dakordësuar për të pasur një kandidat të përbashkët. Hasimja është kandidaturë e propozuar nga Partia Mundësia sipas burimeve.