Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë dorëzuar një ankim në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashki, përfshirë edhe Tiranën.

Ankimi vjen vetëm një ditë pas shpalljes së dekretit presidencial, i cili parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në disa njësi vendore ku, sipas institucioneve qendrore, është konstatuar vakancë në drejtim.

Në të njëjtën kohë, avokatët e Veliajt kanë ankimuar edhe vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut të kryeqytetit.

Në një deklaratë për mediat, Erion Veliaj e cilësoi dekretin si “contra Constitutionem” (antikushtetues), duke theksuar se:

“Mandati i Kryetarit të Bashkisë nuk është mandat personal, por shprehje e sovranitetit të qytetarëve të Tiranës.”

Veliaj kërkon nga Gjykata Kushtetuese mbrojtjen e menjëhershme të demokracisë përfaqësuese, duke paralajmëruar një betejë ligjore për të mbrojtur legjitimitetin e mandatit të tij.

Nuk ka ende një reagim zyrtar nga Presidenca apo Qeveria, ndërsa pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën në ditët në vijim.