Zgjedhjet parlamentare të 11 majit u vlerësuan si konkurruese, por të zhvilluara në një klimë të theksuar polarizimi politik. Kështu konkludon raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR, i cili thekson se procesi i votimit “në përgjithësi u menaxhua mirë dhe ishte i qetë”, megjithëse u shënuan disa episode “frikësimi dhe nxitjeje të votuesve, si edhe mangësi procedurale dhe në transparencën e numërimit të votave.”

Në dokumentin e OSBE-ODIHR nënvizohet se “zgjedhjet ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, por u mbajtën në një mjedis shumë të polarizuar, ku garuesit nuk kishin kushte të barabarta.” Raporti shton se kandidatët mundën të zhvillonin fushatën në mënyrë të lirë, ndonëse “disa raportuan se u përballën me kërcënime.”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerësohet për mënyrën transparente të administrimit të procesit, ndërsa votimi nga jashtë, i aplikuar për herë të parë në Shqipëri, cilësohet i suksesshëm, pavarësisht vonesave në arritjen e konsensusit politik. “Administrata zgjedhore e menaxhoi procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Votimi jashtë vendit, i prezantuar për herë të parë për këto zgjedhje, u menaxhua mirë, pavarësisht marrëveshjes së vonë politike dhe disa çështjeve organizative,” theksohet në raport.

Një pjesë e gjetjeve lidhet me përdorimin e administratës publike gjatë fushatës nga Partia Socialiste. “Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative, duke krijuar një avantazh të panevojshëm për zyrtarët e saj të lartë. Kishte gjithashtu shumë akuza për presion mbi votuesit, veçanërisht punonjësit e sektorit publik,” nënvizon raporti.
OSBE-ODIHR përmend gjithashtu raportimet për blerje votash dhe për ndikim të mundshëm të elementëve kriminalë në disa zona.

Një tjetër problematikë e theksuar është mungesa e rregullimit të fushatës në rrjetet sociale dhe mungesa e një autoriteti mbikëqyrës. “Pjesëmarrësit në garë e shfrytëzuan në mënyrë aktive Facebook dhe Instagram, ndërsa ndalimi i TikTok nga qeveria, që hyri në fuqi më 6 mars 2025, kufizoi mundësitë e disa kandidatëve për të bërë fushatë,” thehet në raport.

Në dokument përmendet edhe gjuha e ashpër që dominoi fushatën, veçanërisht mes dy figurave kryesore politike. “Toni i fushatës ishte shpesh konfrontues, me sulme personale midis dy partive kryesore dhe udhëheqësve të tyre. Z. Rama e quajti kundërshtarin e tij, z. Berishën, një ‘buf kënete’, ndërsa z. Berisha e cilësoi z. Ramën ‘Antikrisht’, ‘përbindësh’ dhe qeverinë si ‘narkodiktaturë’,” thuhet në raport.

ODIHR paraqet 25 rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor në Shqipëri. Kryesorja është realizimi i një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse, e ndërmarrë me kohë përpara zgjedhjeve të ardhshme. Ndër të tjera, rekomandohet depolitizimi i administratës zgjedhore dhe vendosja e sanksioneve më të forta ndaj abuzimit me burimet shtetërore gjatë fushatave elektorale.