Fitoren në qytetin e Tiranës dhe të Vlorës, me dy kandidate gra Ogerta Manastirliun dhe Brunilda Mersinin, kryesocialsiti Edi Rama e sheh të padiskutueshme. Duke përmendur drejtimin e Manastirliut në QSUT dhe të deputetes Mersini në spitalin rajonal të Vlorës, kryeministri Edi Rama thotë se të dyja janë fituese të garës, ndërsa kundërshtarët e tyre i ironizoi duke thënë se janë shëmbëlltyrë e radhës e disfatës së Partisë Demokratike.

“Është një risi absolute e zgjedhjeve të parakohshme vendore kandidimi i dy grave për Tiranën dhe Vlorën, dy qytete të dorës së parë për Shqipërinë, që do të drejtohen nga dy gra, të cilat kanë një karrierë shumë të ngjashme në një periudhë të caktuar kur kanë drejtuar respektivisht rilindjen e Qendrës Spitalore Universitare dhe të Spitalit Rajonal të Vlorës, dy realitete të transformuara tërësisht falë kapacitetit të tyre menaxherial dhe sidomos vullnetit të tyre të hekurt. Ato janë të dyja fituese të padiskutueshme të garave, ku kundërshtarët përfaqësojnë shembëlltyrën më kuptimplote të humbjes së radhës, të ndjesë pastë Partia Demokratike”, u shpreh kryeministri Rama.

Duke u ndalur tek Tirana, për të cilën ende nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet, Rama komentoi në podcastin Flasim për herë të parë kandidaturën e opozitës për Tiranën, Florian Binajn, një artistit komik njihet për shfaqjet e tij për imitimin e kryeministrit. Rama e cilësoi si një aktor që po luan rolin e radhës, ndërsa zgjedhja e tij tha se tregon dëshpërimin e kënetës, siç e quajti sërish Partinë Demokratike. Kryeministri i kujtoi me ironi edhe pjesëmarrjen e aktorit Binaj në Kongresin e PS, kur tha se janë shkrirë së qeshuri kur ai e imitonte.

“Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste, ku ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim.

Prandaj, nuk e gjykoj fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë. Por kush voton mua dhe Partinë Socialiste, do të votojë Ogertën, që t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur në krye të bashkisë, për të vazhduar punën transformuese për kryeqytetin e Shqipërisë 2030”, tha Rama.

Zgjedhjet në Tiranë u pezulluan nga gjykata kushtetuese, edhe pse Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për kryeqytetin dhe 5 bashki të tjera. Gara për Tiranën u pezullua për shkak të ankimimin që Erion Veliaj i bëri në “Kushtetuese” fillimisht vendimit të qeverisë për ta shkarkuar, e më pas edhe dekretit të Bajram Begajt.