Çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë hapur një diskutim për ekspertët e ekonomisë dhe agjentët, por edhe banorët. Pyetja kryesore është se çfarë do të ndodhë me vlerën e pronës në Shqipëri, nëse do të rritet apo do të bjerë.

Sipas agjentëve imobilarë dhe ekspertëve do të ketë një rënie të çmimeve në vitet që pasojnë. Agjenti imobilar, Armand Shkëmbi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan u shpreh se 10 mijë apartamente në Tiranë do të nxirren në shitje. Agjenti deklaroi se viti 2026 do të jetë i vështirë për tregun imboliar.

Shkëmbi: 2026 do të jetë vit i vështirë për tregun imobilar. Shtatë mijë deri në 10 mijë prona do të dalin në shitje duke nisur nga janari 2026, që do vënë në vështirësi apartamentet që janë në shitje. Dalin, sepse pronarët kanë pritur që të paguajnë më pak taksa, që të dalin në treg e t’i shesin.

Nga ana tjetër eksperti i ekonomisë Klodian Muço shprehet se çmimi i banesave në 2027 do të bjerë. Kjo pasi sipas tij vendi do të marrë masa që paratë të kanalizohen në sistemet bankare, pasi ata që blejnë sot apartamente në vlerat 4 mijë, 5 mijë apo 2 mijë nuk janë qytetarë të thjeshtë dhe blihen me para cash të ardhura nga ekonomi informale, si nga korrupsioni, krimi apo evazioni dhe kjo do të frenojë rritjen e çmimit të apartamenteve.

Eksperti Klodian Muço: Do bien çmimet në Tiranë, jo në bregdet. Në 2027 flitet që vendi të marrë masa që paraja të kanalizohet në kanalet bankare. Të gjithë ju që mërreni më ndërtime e keni shumë të qartë që ato vlerat 4 mijë, 5 mijë apo 2 mijë nuk i ble qytetari i thjeshtë, blihen me para që vijnë nga ekonomia informale, korrupsion, evasion, kriminale, por vijnë nga paraja cash. Në momentin kur bankat ose shteti ka si objektiv primar që këto para do kanalizohen në sistemin banker do të bllokohen.

Ndërkohë për agjenten imobilare Ilda Zaloshnja çmimi varjon sipas zonave në kryeqytet. Ajo shprehet se të gjithë synojnë qendrën, por mund të shikojnë tregun në periferi duke arsyetuar se shqiptarët dalin me makina dhe për të blerë bukë.

Ilda Zaloshnja: Ne duam të gjithë të rrimë të kali Skënderbeut por nuk është më e mundur. Të gjithë me makina lëvizin edhe për të blerë bukën me makina lëvizin.

Zaloshnja u kundërshtua nga Barbara Doda, e cila parashtroi çmimet edhe në zonat periferike të Tiranës.

Doda: Ky nuk është argument, unë nuk po pretendoj ku është 5 mijë euro metri katror. Unë nuk mund ta ble pa hipotekë jam shtresë e mesme. Kjo është në Fresk, në fund 1070 euro metri katror, në Astir 2330 euro, në Kashar 1290. Më thoni ku ta ble unë këtë pronë sado që të paguhem në Tiranë. Edhe unë dua ta ble në themel po nuk e ble dot.