Lajmet që vijnë nga Moska janë, në një farë mënyre, mungesë lajmesh: diplomati më i lartë i Rusisë vazhdon të jetë ende në detyrë.
Të premten, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përpoq të shuante spekulimet e shumta mediatike rreth një riorganizimi të mundshëm në nivelet më të larta të politikës së jashtme ruse. Arsyeja? Mungesa e dukshme e ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Rusisë të mërkurën, kur presidenti Vladimir Putin hodhi idenë e testimeve bërthamore në shkallë të plotë.
“Nuk ka asnjë të vërtetë në këto raportime,” tha Peskov gjatë një telefonate me gazetarët të premten. “Lavrov vazhdon, sigurisht, të ushtrojë detyrën e tij si ministër i Jashtëm.”
Për të kuptuar pse kjo është lajm, nevojitet pak “kremlinologji”. Të mërkurën, gazeta e biznesit Kommersant – duke cituar “burime të informuara” raportoi se diplomati veteran “ishte munguar me marrëveshje” nga takimi i nivelit të lartë me Putinin.
Për më tepër, vëzhguesit vunë re se Lavrov ishte i vetmi anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurisë që mungonte. Ndërkohë, doli në dritë se ai nuk do të kryesonte delegacionin rus në samitin e G20 që do të mbahet këtë muaj në Johanesburg. Më 4 nëntor, Putin kishte nënshkruar një dekret që caktonte në krye të delegacionit një zyrtar më të ri, Maksim Oreshkin, zëvendësshef i kabinetit presidencial.
Kjo ngriti pyetje të menjëhershme: A kishte rënë Lavrov në disfavor me Putinin, dhe a ishte kjo shenjë e një tronditjeje të mundshme brenda qeverisë ruse?
Lajmi për mungesën e Lavrovit erdhi vetëm pak javë pas dështimit të planit për një samit ballë për ballë në Budapest midis Putinit dhe presidentit amerikan Donald Trump. Lavrov kishte qenë njeriu kyç i Moskës për realizimin e takimit, por pas një telefonate me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, samiti u pezullua. Zyrtarët amerikanë thanë se rusët nuk kishin ndryshuar qëndrimin e tyre maksimalist për Ukrainën; menjëherë pas kësaj, administrata Trump vendosi sanksione të reja ndaj Moskës.
Megjithatë, nëse në Moskë ka pakënaqësi për këtë dështim diplomatik, Kremlini duket i vendosur ta mbajë çdo përçarje të brendshme larg syve të publikut. Kur CNN pyeti nëse Lavrov ende ushtron detyrën e tij, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, konfirmoi se po, duke shtuar për mungesën e tij në mbledhje: “ndodh edhe kështu.”
Lavrov ka qenë fytyra e diplomacisë ruse për më shumë se dy dekada dhe më parë ka shërbyer si ambasador i Rusisë në Kombet e Bashkuara. Ai i ka qëndruar besnik Putinit gjatë gjithë periudhave të tensionuara me Perëndimin nga lufta ruso-gjeorgjiane e vitit 2008 dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014, deri te përfshirja e Moskës në luftën civile në Siri në 2015. Ai ka qenë gjithashtu një mbrojtës i zjarrtë i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
75-vjeçari Lavrov ka zhvilluar një stil të ashpër e konfrontues diplomatik, që shpesh ka reflektuar ambiciet imperialiste të Putinit. Në samitin e fundit në Anchorage, Alaska, me Trumpin, ministri rus u paraqit me një pulovër ku shkruhej “СССР”, inicialet cirilike të Bashkimit Sovjetik.
Megjithatë, provokimet e tilla kanë kufijtë e tyre veçanërisht kur përballë është administrata Trump. Pas sinjalit të Trump se takimi në Budapest ishte anuluar, Kreu i Fondit Sovran të Rusisë, Kirill Dmitriev dhe një i dërguar special i Kremlinit udhëtuan në Shtetet e Bashkuara për atë që disa vëzhgues e panë si një përpjekje për të zbutur dëmet.
Megjithatë, nën Putinin, besnikëria dhe vazhdimësia mbeten ende të çmuara. Vitin e kaluar, për shembull, Kremlini njoftoi zëvendësimin e Sergei Shoigut, ministrit të mbrojtjes së Rusisë që kishte shërbyer për shumë vite. Por në vend që të shkarkohej plotësisht për mungesë suksesi në fushën e betejës, Shoigu u transferua në një post tjetër si sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.
Edhe kur përballet me pengesa të mëdha, duket se reagimi i liderit të Kremlinit shpesh është thjesht një riorganizim sipërfaqësor i situatës./CNN




















