Seanca paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta, e parashikuar për t’u zhvilluar këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, është shtyrë për datën 5 dhjetor. Shtyrja erdhi pas kërkesës së avokatit të dytë të Metës, Gylsen Zhllima, i cili kërkoi kohë të njihet me aktet e dosjes.

Pas daljes nga gjykata, avokati Kujtim Cakrani përcolli qëndrimin e klientit të tij, duke nënvizuar se Meta është i vendosur të jetë i pranishëm në të gjitha seancat e procesit gjyqësor.

“Meta do të marrë pjesë në çdo seancë. Ai dëshiron të përballet me çdo pretendim dhe do të japë çdo përgjigje e sqarim lidhur me akuzën e ngritur ndaj tij. Që prej sot, Meta do të jetë i pranishëm në të gjitha seancat. Ai ka mbajtur një qëndrim korrekt dhe është i qetë; ndoshta palestra dhe puna me librin që po përgatit e kanë ndihmuar. Sigurisht, edhe prania ime si avokat ka kontribuar në këtë qetësi.”-tha Cakrani.