Siniša Karan, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Millorad Dodikut ish-presidentit të shkarkuar të Republikës Srpska ka dalë fitues në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, duke mposhtur me diferencë të ngushtë kandidatin opozitar.

Sipas të dhënave paraprake të publikuara para mesnatës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnjë e Hercegovinës, Karan ka siguruar 50.89% të votave, ndërsa rivali i tij nga Partia Demokratike Serbe, Branko Blanusha, ka marrë 47.81%.

Në fjalimin e tij pas shpalljes së rezultateve, Karan falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe e interpretoi rezultatin si vazhdimësi të linjës politike të Dodikut, e cila karakterizohet nga përplasjet me institucionet shtetërore të Bosnjës dhe qëndrimi sfidues ndaj Perëndimit.
Ai theksoi se, sipas tij, votuesit kanë dërguar një mesazh të qartë për të drejtën e popullit serb për të vendosur vetë mbi fatin e tyre.

Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Srpska, njësia gjysmautonome që bashkë me Federatën Boshnjako-Kroate përbën shtetin e Bosnjë e Hercegovinës, përcaktojnë një mandat të shkurtuar presidencial deri në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2026.
Ky proces konsiderohej një provë e rëndësishme për forcën politike të Dodikut, i cili ka dominuar skenën politike të entitetit për afro 20 vjet.

Milorad Dodik u tërhoq nga posti pasi u dënua nga Gjykata e Drejtësisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila i vendosi ndalesë gjashtëvjeçare për ushtrim detyrash publike.
Gjatë viteve të fundit, ai është përballur me kritika të gjera për veprime me karakter separatist, për miratim ligjesh të paligjshme në Republikën Srpska dhe për mosrespektim të kompetencave të institucioneve shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës.