Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, deklaroi se buxheti i vitit 2026 është buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, duke theksuar se ky fond financiar do të përdoret në funksion të rritjes së pagave, pensioneve dhe investimeve publike.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, Bido tha se brenda mandatit qeverisës, paga minimale do të arrijë nivelin e 700 eurove, çka do të ndikojë në gjithë strukturën e pagave në vend.

“Ky është buxheti më i madh që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, me diferencë shumë të madhe. Në 15 vitet e fundit buxheti i shtetit është trefishuar,” u shpreh ai.

Sipas tij, që prej 1 janarit 2026, paga minimale do të jetë 500 euro për të gjithë punonjësit me këtë nivel page.

“Qëllimi është që brenda këtij mandati paga minimale të shkojë në 700 euro. Kjo do të ishte e krahasueshme me vendet anëtare të Bashkimit Europian,” theksoi Bido, duke shtuar se kjo rritje do të reflektohet edhe në pagën mesatare dhe në pagat më të larta.

Deputeti ndaloi edhe te pensionet, duke e cilësuar rritjen e tyre si historikisht më të madhen.

“Rritja e pensioneve që nis prej 1 janarit të vitit 2026 ka si qëllim që brenda mandatit pensioni urban të dyfishohet. Kjo është një rritje galopante, e pakrahasueshme me çfarëdolloj rritjeje që ka ndodhur ndonjëherë,” u shpreh ai.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, Bido theksoi se buxheti do të mbështesë investime të rëndësishme infrastrukturore dhe projekte kombëtare prioritare, të cilat synojnë rritjen e mëtejshme të ekonomisë.

“Ky buxhet do të jetë në shërbim të mbrojtjes së shtresave në nevojë, investimeve dhe konsolidimit fiskal,” shtoi deputeti.