Maratona e diskutimeve për projektbuxhetin 2026 ka nisur këtë të hënë në Komisionin e Ekonomisë me një bojkot të komisioneve nga ana e opozitës.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi buxhetin e vitit të ardhshëm duke e vënë theksin te mirëqenia dhe mbrojtja sociale me focus kryesor pensionet. Ndërsa bëri të ditur se paketa fiskale do të miratohet këtë javë në qeveri me 8 projektligjet më të rëndësishme.
“Më e rëndësishme natyrisht mbetet skema e fermerëve, përmes të cilët do të kompensohen të gjithë fermerët me normën 10%, duke ju lënë në duar fermerëve minimalisht rreth 1.5 miliardë lekë në vit ose 15 milionë euro. Do të kemi zbatimin e paqes fiskale, si një reformë që synon të ndërtojë një marrëdhënie të re besimi midis biznesit dhe shtetit.”, shprehet Petrit Malaj, ministër i Financave.
Ky projektbuxhet për Bankën e Shqipërisë duket optimist në aspektin e rritjes ekonomike dhe konsolidimit fiskal. E ftuar për dhënie mendimi në komision, Banka Qendrore rekomandon rishikimin e skemës së pensioneve, monitorimin e kujdesshëm të koncesioneve.
“Sfidat fiskale të këtyre skemave mbeten të larta duke marrë në konsideratë fenomenin e plakjes së popullsisë, por edhe atë të tkurrjes demografike. Këto tregues pritet të ushtrojnë presion të shtuar mbi financat publike në të ardhmen dhe duke e bërë të domosdoshme ndërmarrjen e reformave shtesë që të garantonin reduktimin e vulnerabilitetit fiskal të lidhura me to. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë rekomandon, rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve”, thotë Luljeta Minxhozi, Zëvendësguvernatore e Bankës Së Shqipërisë.
Për PPP-të Banka e Shqipërisë inkurajon përpjekjet për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë, vlerësojnë dhe kontraktojnë, monitorojnë gjithashtu këto projekte sidomos, për sa i përket detyrimeve ligjore dhe financiare, të cilat shpesh ngarkojnë buxhetin e shtetit.”
Teksa opozita mungonte në diskutimet për buxhetin, deputetët socialist u ndalën në këtë buxhet tek rritja ekonomike dhe paqja fiskale.
“E gjithë paketa, paqja fiskale ka shifra minimale të efekteve në buxhet në krahun e të ardhurave. Mendoni se ka rezerva më të mëdha sa i takon të ardhurave në evazionin fiskal dhe formalizimin e ekonomisë
A e shikoni mosrealizimin e bxuhetit si risk shumë të madh për rritjen ekonomike të parashikuar ën atro nivele 4% e lartë”, u shpreh deputeti i PS, Erion Braçe.
“Ne kemi folur edhe në kuadër të buxhetit të mëparshëm, ka nevojë për rishqyrtimin të shpenzimeve tatimore ose me fjalë të tjera, aplikimi i normave të diferencuara të sistemit tatimor për sektorët e ekonomisë të cilat kanë një ecuri dhe performancë të mire.
Për formalizimin absolutisht ka vend për përmirësim, domethënë ne konstatojmë në atë lexim të projektbuxhetit që kemi bërë, faktin që ka një përpjekje shtesë për hyrjen në formalizimin e ekonomisë, megjithëse praktika e paqes fiskale është diçka që duhet përdorur në mënyrë të rrallë, nuk është një instrument që mund të përdoret në vazhdimësi për këtë, po patjetër ekonomia shqiptare ka një nivel të lartë informaliteti, patjetër që mund të bëhet më shumë”, tha Erald Themeli, Drejtor i Politikës Monetare Të Bankës Së Shqipërisë.
Projektbuxheti 2026 parashikon shpenzime deri në 8.9 miliardë euro me në fokus mbrojtjen sociale dhe infrastrukturën.




















