Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit i është drejtuar deputetëve të opozitës duke u kërkuar që të distancohen nga deklarata që Sali Berisha bërë ndaj ambasadorit të BE Silvio Gonzato, në lidhje me orientimin e tij seksual.

“Uroj dhe shpresoj që deri në fund të seancës dikush nga PD të distancohet nga ai sulm i turpshëm ndaj ambasadorit të BE, nuk u bën nder.

Qesh ti qesh (i drejtohet deputetit të PD Blendi Himçi), por ta them që sulmet kundër ambasadorëve i kanë bërë dëm historikisht opozitës. Kuvendi do duhet të ndalet në ditët në vijim për këtë çështje”, tha Balla.

Më herët sot Berisha, duke iu drejtuar Gonzatos, u shpreh:

Ambasadorit të BE i them kaq, zotëri ne absolutisht ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare, dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar.

Nuk merremi ne me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e tij më pas, siç e ka shpjeguar, se nuk dua të merrem me jetën e tij personale fare. Kështu që ligji nuk ka asgjë të përbashkët. Le t’u thotë shqiptarëve se cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore. Të dalë, ta nxjerrë aty.