Policia e Shtetit ka marrë masa pas ngjarjes së ndodhur këtë të shtunë në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, u mbajt për disa orë dhe u dhunua fizikisht.

Sipas Policisë së Shtetit, pas analizës së kryer lidhur me veprimet dhe menaxhimin e situatës nga drejtuesit lokalë, rezultoi se zinxhiri drejtues i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vendosur shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Erion Ahmeti, dhe pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll për mospërmbushje të detyrave që kanë sjellë pasoja të rënda, në bazë të nenit 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit.

Derisa të përfundojë konkursi për Drejtor Vendor, Drejtues Islor Islami, më parë Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, është caktuar në detyrën e përkohshme të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.