Fatura e borxheve tatimore dhe doganore të papaguara të krijuara në një periudhë 10 vjeçare arrin vlerën e 507 milionë eurove.Projektiligji i cili përcakton edhe këto detyrime i titulluar si “Ligji për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë” ka nisur procedurën e konsultimeve me grupet e interesit.
“Neni 5, parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore direkte apo indirekte të papaguara që i përkasin periudhave deri më 31 dhjetor 2014, përveç kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këto të fundit, parashikohet fshirja ose shuarja e dënimeve administrative dhe kamatëvonesave për periudhat deri më 31 dhjetor 2014, duke përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, por pa përfshirë kontributin. Po ashtu, ky nen parashikon faljen e gjobave dhe kamatëvonesave në rastet kur është paguar principali”, deklaron Ministria e Financave.
Këto janë dhe borxhet e përllogaritura nga Ministria e Financave deri nga fundi i 2014 deri në dhjetor 2024. Ajo çfarë vihet re është përllogaritja e borxheve sipas periudhave mujore dhe vjetore ku theksi vihet tek ajo 10-vjeçare.
Sipas relacionit, detyrimet e vjetra mbi 10 vjet deri në fund të 2014 arrijnë vlerën prej rreth 507.3 milionë eurosh, që përbëhen nga 295 milionë euro borxhe tatimore dhe 257.6 milionë euro borxhe doganore për periudhën deri në fund të vitit 2014.
Por si do të veprohet me skemën e faljes?
Për periudhën deri më 31 dhjetor 2014: detyrimet tatimore/doganore do të fshihen tërësisht, përveç sigurimeve shoqërore/shëndetësore për këto të fundit fshihen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, por jo kontributi vetë.
Por për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019 lehtësirat do të jenë me kushte. Për të përfituar, subjekti duhet të paguajë një pjesë (50% menjëherë ose 75% në këste) përpara afateve (30 qershor 2026 ose 31 dhjetor 2026) dhe në këto raste gjobat dhe interesat fshihen.
Për periudhën 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024: ndalon fshirjen e principalit, por fshihen gjobat/kamatë të kushtëzuara me pagesën e detyrimit të plotë brenda 31 dhjetorit 2026.
Janë rreth 207 mijë e 71 tatimpagues debitorë por jo të gjithë tatimpaguesit do të përfitojnë nga lehtësitë. Përjashtohen bizneset e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor për vepra penale në fushën tatimore ose doganore.
Ndërsa shifra totale e borxheve të papaguara vetëm për tatime dhe dogana për periudhat deri në fund të vitit 2024 shkon në rreth 211 miliardë lekë apo 1.7 miliardë euro, nisma e “Paqjes Fiskale” synon të përqendrohet kryesisht në fshirjen e detyrimeve shumë të vjetra (deri më 31 dhjetor 2014) në vlerën prej 507 milionë euro. Megjithatë, kjo fshirje nuk përfshin kontributet për sigurime shoqërore e shëndetësore duke lënë kështu një pjesë të konsiderueshme të detyrimeve në ngarkim për vetëpunësuarit dhe kontributdhënësit.
Në këtë kontekst, nisma shihet si një strategji për “pastrimin” e stokut të borxheve të vjetra dhe për përmirësimin e financave publike por pika kryesore e vëmendjes mbetet se përfitimi nuk është gjithëpërfshirës dhe ka kushte të qarta që duhet përmbushur.




















