Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndodhet në Riad në një vizitë zyrtare ku merr pjesë në Asamblenë e 26-të të Përgjithshme të UN Tourism.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Gonxhja bëri të ditur se, “Shqipëria përfaqësohet në këtë samit ndërkombëtar për të diskutuar mbi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, partneritetet ndërkombëtare dhe sfidat e reja të sektorit turistik”.
Gjatë vizitës, ministri Gonxhja u takua edhe me ministrin e Turizmit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Ahmed Al Khateeb, ku edhe e falenderoi për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gonxhja theksoi se “pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë samit është një mundësi e rëndësishme për të ndarë përvojat me rreth 150 vende dhe ministri homologe, duke forcuar bashkëpunimin dhe ndërveprimin në promovimin e turizmit të qëndrueshëm, kulturor dhe inovativ”.
Në fokus të këtij samiti janë diskutimet për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm; nxitja e partneriteteve ndërkombëtare; inovacioni dhe përmirësimi i strategjive turistike në nivel global; sfida dhe mundësi për sektorin turistik në epokën post-pandemike dhe në kuadër të zhvillimit kulturor dhe ekonomik.




















