Jeta në Tokë mund të gjendet në vendet më të çuditshme, por shkencëtarët mendojnë se jeta jashtëtokësore mund të gjendet në oqeanet e nëndhenshme të një hëne të vogël dhe të akullt në Saturn.

Enceladus po shihet gjerësisht si një kandidate kryesore për jetën aliene. Hëna, rreth 480 kilometra e gjerë, ka një oqean me një shtrat shkëmbor nën sipërfaqen e saj të bardhë e të ndritshme.

Shkencëtarët e Oxford University kanë zbuluar se hëna është më e ngrohtë nga sa mendohej duke shtuar misterin e jetës që mund të krijohet në të.

Prej vitesh, anija kozmike Cassini e NASA-s ka vënë re vetëm humbje nxehtësie në polin jugor ku shtëllunga avujsh dhe kristale akulli dilnin prej të çarave.

Tani ata kanë gjetur rezultate të ngjashme në polin verior, sipas një studimi në Science Advances. Sipërfaqja në këtë rajon ishte rreth 7 gradë Celsius më e nxehtë sesa pritej, një ndryshim që mund të shpjegohet vetëm nga nxehtësia që del nga oqeani.

Ata e zbuluan këtë duke krahasuar sesa energji humb hëna nga oqeani ‘i ngrohtë’ (o gradë Celsius) ndërsa nxehtësia rritet në sipërfaqen që ngrin (-223 gradë Celsius).

Sipas përllogaritjeve, humbja e nxehtësisë në Enceladus arrin në 55 gigavat, e barasvlershme me më shumë se 100 milionë panele diellore duke treguar se as nuk po nxehet, as nuk po ftohet.

Nxehtësia është një nga tri veçoritë kryesore për jetën dhe Enceladusi tashmë ka edhe ujin e elementët e duhur kimikë. Që jeta të lulëzojë, nënsipërfaqja duhet të ketë baraspeshë mes nxehtësisë që fiton e humbet.

Kjo rregullohet falë forcave tërheqëse të Saturnit që shkundin pjesën e brendshme të Enceladusit duke krijuar mjaftueshëm fërkim sa akulli të shkrijë. Këtu ndikon edhe largësia e duhur që hëna ka nga Dielli.

Hapi i radhës për shkencëtarët është që të përcaktojnë moshën e deteve të kripur të Enceladusit për të parë nëse ka pasur kohë të mjaftueshme që të krijohej jeta.

Misioni Cassini përfundoi në vitin 2017 dhe derisa të nisë një ekspeditë e re, shkencëtarëve u mbetet vetëm të hamendësojnë për jetën jashtëtokësore.