Rikthimi pas 16 vitesh në “Këngën Magjike” i Mira Konçit ishte një nga ngjarjet më të bujshme të 25-vjetorit të festivalit. “Më mbaj me vete” u vlerësua me çmimin e tretë duke iu shtuar trofeve të shumta të artistes së dashur që ka mbetur në kujtesën e publikut.
Ajo spikati që në daljet e para duke u kthyer në artisten e dytë pas Vaçe Zelës me një koncert recital në vitin 1990. Emri i Mira Konçit ishte i lakuar dhe erdhi fuqishëm. Në programin “Rudina” në Tv Klan, Magjistari kujton pikërisht fillimet e këngëtares, një moment kur të dyja janë bërë bashkë në koncertin e gjimnazit “Qemal Stafa” që i zbuloi në fushat e tyre respektive.
Moderatorja ndan këtë histori të parrëfyer për Mira Konçin, fenomenin dhe zbulimin e asaj kohe që i kishte mrekulluar të gjithë.
Rudina Magjistari: Në atë kohë ishe një fenomen, ishte zbuluar Mira Konçi, unë kështu e mbaj mend kohën. Madje sot ne mund të tregojmë edhe një detaj tjetër që s’është dhe aq detaj se unë mendoj është i rëndësishëm për ty dhe për mua gjithashtu sepse ka qenë pikërisht ai koncert i shkollave të mesme, i gjimnazit “Qemal Stafa” që na dha neve drejtimin, ty në muzikë dhe mua në prezantim. Atëherë ka qenë pikërisht viti 1990 dhe gjimnazi “Qemal Stafa” organizonte një koncert në anglisht, i gjithi në anglisht. Ishte koha e ndryshimeve, ishte dëshira për të folur në gjuhë të huaj, një liri për t’u shprehur në gjithçka duke recituar, duke kënduar, ishin të ftuar të ndryshëm që kishte ftuar gjimnazi “Qemal Stafa” që organizonte me nxënësit e vet, unë aty isha njëra nga dy prezantueset dhe kishte edhe të ftuar që vinin nga jashtë, nga shkollat e tjera të mesme dhe unë Mira të betohem, e mbaj mend si tani, kur bëhej skaleta dhe thoshin kush do të jenë të ftuarit, është bërë në Pallatin e Kulturës, në katin e dytë ky koncert dhe thoshin “është një zbulim, do të vijë njëra, është një zbulim i jashtëzakonshëm” dhe ti vije nga Shkolla e Mesme Ekonomike, ishe një surprizë dhe gjetje në atë kohë. Unë për herë të parë ty të kam parë në atë koncert me këtë lloj atmosfere që të shoqëronte, që ishe një zbulim, një këngëtare e re tepër e talentuar që do të marrë pjesë në këtë shfaqjen që do të bënte gjimnazi “Qemal Stafa.” Ti pastaj erdhe dhe unë mbaj mend edhe këngën që ke kënduar, “I am a woman in love…”




















