Mediat kane siguruar ka siguruar një shkresë zyrtare, drejtuar institucioneve përgjegjëse, ku kërkohet mundësimi i pjesëmarrjes fizike të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak këtë të premte, më 21 nëntor 2025, në orën 10:00.

Kërkesa, e cila i drejtohet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, argumenton se pjesëmarrja e kryebashkiakut është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, në bazë të Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”.

Në dokument theksohet:

Neni 58, pika 4 i jep Kryetarit të Bashkisë të drejtën të marrë pjesë dhe të raportojë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Neni 60 përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm midis Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak për çështjet e interesit publik.

Duke iu referuar këtyre detyrimeve ligjore, Këshilli Bashkiak i Tiranës kërkon:

lejimin e përkohshëm të pranisë fizike së Erion Veliajt në mbledhje,
ose, nëse kjo nuk është e mundur,

mundësimin e pjesëmarrjes përmes një forme të komunikimit në distancë, si online apo videokonferencë.

Në shkresë nënvizohet se pjesëmarrja e kryebashkiakut është e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit lokal.

Këshilli Bashkiak deklaron gatishmëri të plotë për bashkëpunim lidhur me çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike nga institucionet përkatëse, me qëllim zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor dhe transparent.

Institucionet janë ftuar të japin me shkrim vendimmarrjen e tyre, duke marrë parasysh funksionet institucionale dhe të drejtën e kryetarit të Bashkisë për t’u paraqitur para Këshillit Bashkiak.