Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të tij dhe rrëzoi vendimin e qeverisë për ta shkarkuar nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.
Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Me një vendim 5 vota pro e 3 kundër, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Kushtetuesja argumentoi se Veliaj nuk u pyet duke iu mohuar një proces i rregullt ligjor. Ndërsa thekson se një kryebashkiak mund të shkarkohet vetëm sipas nenit 115 të ligjit themeltar për një shkelje të rëndë.
Reagimi i plote:
Të dashur miq,
Për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë pusullë-postim me avokatët.
Drejtësia kushtetuese foli.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës.
Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.
Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron.
Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua.
Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar.
Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!




















