Gjykata Kushtetuese shqyrton sot kërkesën e Naureda Llagamit për anulimin e procedurës së votimit në mbledhjen e Gjykatës së Lartë më 30 shtator për emërimin e Asim Vokshit si anëtar i Kushtetueses.
Llagami mori 9 vota, pra 3/5 e numrit që i duhej për t’u shpallur fituese, por një u cilësua si e pavlefshme pasi kishte dy shenja, që u konsideruan si tentativë për të ndikuar në rezultat. Automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh Asim Vokshi pasi ishte renditur i pari në vlerësimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Llagami kërkoi edhe pezullimin e emërimit të Vokshit si anëtar i Kushtetueses, por kjo kërkesë iu rrëzua.
Pas polemikave të shkaktuara nga Llagami, Gjykata e Lartë reagoi duke thënë se procesi i votimit ishte zhvilluar sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citonte nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”.




















