Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK,  ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një procedimin penal për korrupsion zgjedhor në Qarkun e Lezhës.

Në listën e të pandehurve janë Gersi Kaçorri, i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, dhe Besnik Uka e Artur Jahja, të akuzuar për “korrupsion pasiv në zgjedhje”, të gjitha veprat të kryera në bashkëpunim.

Hetimi i SPAK-ut, i bazuar në materialin e referuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ka treguar se gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, të pandehurit ofruan dhe shpërndanë shuma monetare tek zgjedhësit e Bashkisë Kurbin për të ndikuar në votën në favor të Partisë Socialiste.

SPAK thekson se përdorimi i metodave speciale të hetimit, përfshirë përgjime dhe vëzhgime, konfirmoi përfshirjen aktive të tyre në veprimtari të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor.

Gjykimi i çështjes do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.